Çfarë ndodhi me e-Albania-n? Autoritetet shqiptare të rezervuara me informacionet: Dy sulme e dy hetime! Balluku: Reformë e thellë të gjithë sektorit

Dy sulme ndaj portalit unik qeveritar e dy hetime, një nga ekipi i Microsoft e një nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me FBI-në amerikane.
Ka qenë ky informacioni i bërë publik në daljen e parë për mediat të drejtueses së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, që pas sulmit kibernetik që paralizoi shërbimet publike në Shqipëri.
Pa prezencën e gazetarëve, me argumentin se është kërkuar nga ekipi i Microsoft për shkak të rëndësisë së situatës, Karçanaj tha se nuk nuk janë dëmtuar të dhënat e shqiptarëve dhe se falë reagimit të shpejtë nuk ka pasur humbje.
“Llojet e sulmit ishin dy: Ransomware dhe ZeroCleare WipeOut. Aktiviteti i parë keqdashës nisi fillimisht në formën e një sulmi Ransomware, por mesa dimë çfarë është Ransomware tipik, ka për qëllim enkriptimin e të dhënave për të kërkuar më pas dekriptimin e tyre kundrejt një pagese, por në rastin konkret nuk ishte ashtu, ishte Ransomware decoy in. Për të larguar vëmendjen nga objektivi i vërtetë i sulmit që në fakt ishte fshirja e të gjitha sistemeve kritike të rëndësishme qeveritare së bashku me të dhënat në to.
Falë reagimit të shpejtë të sistemeve mbrojtëse dhe të stafeve teknike, nuk pati humbje të dhënash. Pavarësisht se sulmi ishte i një shkalle të lartë sofistikimi dhe sinkronizimi kundrejt sistemeve dhe infrastrukturave, u krye izolimi i menjëhershëm i tyre duke zbatuar rigorozisht protokollet dhe politikat ndërkombëtare të sigurisë kibernetike” tha drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Ndërkohë, i pranishëm në konferencë ishte edhe një ekspert i Microsoft që lexoi një deklaratë me 3 fjali dhe pa detaje, nga Kelli Bizel, Zv. Presidentja e Koorporatës për sigurinë në MICROSOFT.
“Microsoft eshtë e përkushtuar për të ndihmuar klientët tanë që të arrijnë më teper duke qenë te sigurt. Gjatë kësaj ngjarjeje ne mobilizuam shpejt njësinë tonë të reagimit që të ndihmojë qeverinë shqiptare të rekuperohet nga ky sulm kibernetik. Microsoft do të vazhdojë partneritetin me Republikën e Shqipërisë në menaxhimin e sigurisë kibernetike duke rritur nivelin mbrojtes nga sulme keqdashese” shkruhej në deklaratën e zyrtares së Microsoft.
Kjo ishte edhe dalja e parë e Belinda Ballukut si zëvëndëskryeministre. Në këtë dalje, Balluku siguroi se në përfundim të hetimeve, do të merren dhe hapat e nevojshëm në drejtim të sigurisë kibernetike e madje paralajmëroi një reformim të thellë të sektorit.
“Padyshim nga momenti që ne kemi vendosur që shërbimet të jenë pothuajse të gjitha online edhe sensibiliteti i këtyre shërbimeve duke qenë online është më i madh. Për këtë arsye përveç punës që ne po bëjmë për të kaluar të gjithë këtë situatë, nga ana tjetër po marrim një sërë masash dhe ky është një mësim edhe për AKSH-in, edhe për gjithë strukturat e tjera, për të na treguar pikat e dobëta, pasi çdo sistem ka pika të dobëta, kudo, edhe sistemet më inteligjente që përdoren nga forcat militare apo edhe nga struktura të tjera sërish kanë pikat e tyre të dobëta dhe ne po nxjerrim një mësim, po bëjmë një skanim të të gjitha sistemeve, skanim të forcave të cilat janë dhe punojnë për të mbrojtur apo për të operuar me këto sisteme dhe për të dalë më pas në një rezultat, qoftë edhe për një reformim të thellë të të gjithë sektorit, apo nga ana tjetër edhe për të ngritur të gjitha ato mburoja kibernetike që do të na duhet për të ardhmen” tha Balluku.
Pas sulmit të pak javëve më parë, portali unik qeveritar e-Albania ndërpreu shërbimet, duke krijuar kaos te qytetarët që kishin të vetmin opsion rrugën elektronike. Edhe pse pjesa më e madhe e shërbimeve janë rikthyer funksionale, sërish faqet shfaqin problematika të mëdha funksionimi.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.