Çmimet e larta, ulin konsumin e karburantit – “Rekord” cigarja dhe birra, u importua më pak kafe!

Rritja e çmimeve për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë dhe kryesisht për karburantit, i cila ishte dhe vijon të jetë ndër më problematiket për qytetarët, mesa duket ka sjellë dhe rënie te konsumit. Referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, sa i takon mallrave të akcizës, sasia e importit të karburantit për Janar-Maj 2022 ka rënë me afro 14.818 ton krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë në raport me vitet e mëparshme 2018-2020 importet janë në rritje. Në total përgjatë 5 muajve, janë importuar mbi 214 mijë ton karburante. Duke qenë se çmimi i naftës dhe benzinës ka shënuar rekord në dekadën e fundit, pritshmëritë për uljen e konsumit kanë qenë më të mëdha. Por mesa duket, qytetarët nuk kanë hequr dorë masivisht nga përdorimi i automjeteve.
Ndërkohë, të dhënat tregojnë se përgjatë kësaj periudhe ka pasur një rritje të ndjeshme të importit të cigareve, e regjistruar në 1164 ton, shifra me e lartë në 5 vitet e fundit për të njëjtën periudhë. Importi dhe rrjedhimisht edhe konsumi i birrës po ashtu ka qenë tejet i lartë në 5 muaj, ku janë blerë nga jashtë kufijve 14.467 ton birrë, me afro 5 mijë ton më shumë se një vit më parë dhe sasia me e lartë në 5 vite.
Ndërsa i vetmi produkt që ka pësuar rënie importi ndër mallrat e akcizës është kafeja, me rreth 3 mijë ton, shifër kjo më e ulta që nga viti 2017-të. Të ardhurat nga karburanti kryesojnë listën e mallrave të akcizës, të regjistruara në 18 miliardë lekë në 5 muaj, apo 21.4 për qind të totalit, e ndjekur nga cigaret, me 10.1 miliardë lekë të ardhura, apo 12 për qind.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.