Çmimet e naftës në bursa sërish në rënie – Mes kufizimeve të Kinës për COVID-19 dhe rritjeve të mundshme të normave
Çmimet e naftës ranë të hënën me perspektivën e kërkesës globale për karburant të lënë në hije nga kufizimet e COVID-19 në Kinë dhe potenciali për rritje të mëtejshme të normave të interesit në Shtetet e Bashkuara dhe Europë.
Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent ranë 1,28 dollarë, në 91,56 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar amerikane ra 1,34 dollarë, në 85,45 dollarë për fuçi.
Analistët e tregjeve parashikojnë që kërkesa e Kinës për naftë mund të tkurret për herë të parë në dy dekada këtë vit pasi politika e Pekinit për zero-COVID i mban njerëzit në shtëpi gjatë pushimeve dhe redukton konsumin e karburantit. Sipas tyre, nëse ky skenar vërtetohet, atëherë çmimi i naftës Brent mund të arrijë në 85 dollarë.
Ndërkohë, Banka Qendrore Europiane dhe Rezerva Federale në SHBA janë të përgatitura të rrisin më tej normat e interesit për të trajtuar inflacionin, i cili mund të rrisë vlerën e dollarit amerikan kundrejt valutave dhe ta bëjë naftën në dollarë më të shtrenjtë për investitorët.
Megjithatë, çmimet globale të naftës mund të rimëkëmben drejt fundit të vitit, pasi oferta pritet të tkurret më tej, kur një embargo e Bashkimit Europian ndaj naftës ruse të hyjë në fuqi më 5 dhjetor.
G7 do të zbatojë një kufi çmimi për naftën ruse për të kufizuar të ardhurat fitimprurëse të Rusisë nga eksporti i naftës pas pushtimit të Ukrainës në shkurt, dhe planifikon të marrë masa për të siguruar që nafta të mund të dërgohet ende në vendet në zhvillim.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.