Debitorët e bashkive, detyrimet me forcë brenda 10 ditëve – Qeveria: Konfiskim i 50% të xhiros apo gjithë biznesit, në prokurori kush shpall faliment

Një Udhëzim i Qeverisë detyron Bashkitë që të mbledhin të gjitha detyrimet e prapambetura, duke përdorur mbledhjen me forcë në rast se është e nevojshme. Udhëzimi përcakton se debitorët duhet të njoftohen me postë ose dorazi për detyrimin e shlyerjes së debive, dhe se brenda 10 ditëve nga njoftimi, ndaj tyre duhet të nisin procedurat e mbledhjes në bazë të legjislacionit tatimor.
Hapi i parë i procedurës është bllokimi i shitjes së aktiveve, duke përcaktuar se Bashkia i dërgon Qendrës Kombëtare të Biznesit kërkesën për ndalimin e veprimeve që kanë të bëjnë me transferimin e kapitaleve të veta të taksapaguesit.
Hapi i dytë është angazhimi i strukturave bashkiake për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të taksapaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50 për qind të qarkullimit të realizuar.
Hapi i radhës është kallëzimi për ndjekje penale. Ai do të aplikohet në rastet taksapaguesi është vështirë të gjendet ose kërkon të largohet nga vendi; biznesi kërkon që nëpërmjet likuidimit, falimentimit të shmangë pagesën e detyrimeve; kur kërkon të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij, me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve; apo kur taksapaguesi kërkon të shesë/transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë për të shmangur pagesën e detyrimeve.
Më tej, Udhëzimi përcakton se Bashkitë duhet të vijojnë me bllokimin e llogarive bankare të biznesit debitor. Dhe me dështimin edhe të kësaj mase, Bashkitë do nisin procedurën e sekustrimit të pasurive të oaluajtëshme të bizneseve përmes vendosjes së barrave siguruese dhe hipotekore. Hapi përufnimtar është konfiskimi dhe shitja e pasurive të luajtëshme e të paluajtëshme të bizneseve debitore.
“Me kalimin e afatit 15-ditor, nga dita e marrjes së njoftimit të sekuestrimit nga ana e taksapaguesit, sendet e paluajtshme ose të luajtshme të sekuestruara nga administrata tatimore, prej taksapaguesit, konfiskohen dhe i nënshtrohen procesit të shitjes së tyre, me qëllim arkëtimin e detyrimit tatimor, përcakton dokumenti qeveritar.
Udhëzimi përcakton edhe procedura lehtësuese për debitorët, duke u dhënë atyre mundësinë të shlyejnë borxhet me këste. Procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve do të ndërpitet vetëm në rastat kur ka biznesi debitor shlyen detyrimet, apo në rastet e parashkrimit, kur borxhi është më i vjetër se pesë vite.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.