Europa Postuar më 21 Korrik 2026, 10:44

Familjet në Europë, “të mbytura” në borxhe - Kryeson veriu i pasur dhe jo ekonomitë e brishta të jugut

Nga Lidion Kulla

Familjet në Europë, “të mbytura” në borxhe -

Familjet më të zhytura në borxhe në Bashkimin Europian gjenden në veriun e pasur dhe jo në ekonomitë jugore që zakonisht njihen si ato më të brishta. Në vitin 2025, borxhi i familjeve në BE ishte 49.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe 50.7% në të gjithë Eurozonën, sipas shifrave të publikuara nga Eurostat. Krahasuar me vitin 2020 vihet re një tendencë në rënie, pasi në të dyja zonat borxhi ishte në mbi 60%.

Borxhi i familjeve përfshin detyrime të tilla si kreditë hipotekore, kreditë konsumatore dhe huamarrje të tjera. Ku indeks nuk tregon se sa borxh ka secila familje, por ofron një pamje të përgjithshme se sa të varura janë familjet krahasuar me të ardhurat kombëtare. Një nivel prej 50% do të thotë se huamarrja e familjeve është e barabartë me gjysmën e gjithçkaje që prodhon vendi brenda një viti.

Vendet me tregje imobilare të zhvilluara, nivel të lartë të pronësisë mbi shtëpitë, të financuara përmes huamarrjes ose sisteme financiare të sofistikuara shpesh shfaqin raporte të larta borxhi. Ndoshta gjetja surprizë e këtij aporti është ndarja veri-jug e Europës. Shtatë vende të BE-së kanë borxh familjar që tejkalon 55% të PBB-së, dhe secili prej këtyre vendeve ndodhet në Europën veriore ose perëndimore. Në anën tjetër, Europa Jugore, e cila në të kaluarën ishte e lidhur me krizat e borxhit sovran, ka huamarrje relativisht modeste familjare.

Familjet italiane kanë një borxh ekuivalent me 35.9% të PBB-së, krahasuar me 38% në Greqi dhe 42.9% në Spanjë, duke i vendosur të treja shumë poshtë mesatares së BE-së.

Në vendin e parë qendron Holanda, ku huamarrja e familjeve është sa 93.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Borxhi hipotekor holandez është kaq i lartë “sepse qeveria e ka bërë shumë tërheqës huazimin e parave për të blerë një shtëpi”. Më pas vijnë vendet nordike, si Danimarka, Suedia dhe Finlanda me 84.1%, 82.3% dhe 62.9% respektivisht. Edhe familjet në Luksemburg, Francë, Belgjikë, Qipro dhe Portugali kanë një borxh mbi mesataren e BE-së, që varion nga 54%-60%.

Ndërkohë, familjet në Gjermani, që është ekonomia më e madhe e Europës kanë një borxh afër mesatares së BE-së, në 49%. Një arsye mund të jetë shkalla jashtëzakonisht e ulët e pronësisë së shtëpive, vetëm 46.7% në vitin 2022, ndër më të ulëtat në Europë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat