Europa Postuar më 20 Qershor 2026, 11:50

Franca nën 'pushtetin' e vapës ekstreme/ Temperaturat deri në 40°C, mbyllen shkollat, rrezik për shëndetin publik

Nga Alida Lula

Franca nën 'pushtetin' e  vapës ekstreme/ Temperaturat deri

Mbi 36 milionë banorë në Francë po përballen me një nga valët më intensive të të nxehtit të këtij viti, ndërsa autoritetet meteorologjike kanë vendosur alarm portokalli në një numër të madh rajonesh të vendit. Paralajmërimi përfaqëson nivelin e dytë më të lartë të rrezikut dhe sinjalizon kushte që mund të kenë ndikim serioz në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht te të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.

Sipas parashikimeve, temperaturat do të vijojnë të rriten gjatë ditëve të ardhshme, duke arritur deri në 40 gradë Celsius në disa zona të vendit. Shërbimet meteorologjike francize, e kanë cilësuar këtë episod si një valë të nxehti të përhapur, të zgjatur dhe me intensitet të lartë, me kulmin që pritet në fillim të javës së ardhshme.

Ndikimi i temperaturave ekstreme, ka prekur edhe sistemin arsimor. Ministria franceze e Arsimit ka njoftuar se qindra shkolla kanë ndryshuar oraret e mësimit për të shmangur ekspozimin e nxënësve ndaj vapës së madhe. Në shumë raste, aktivitetet janë zhvendosur në orët më të freskëta të ditës, ndërsa rreth 150 institucione arsimore janë mbyllur përkohësisht si masë sigurie.

Autoritetet lokale po monitorojnë nga afër situatën, ndërsa ekipet e emergjencës janë vendosur në gatishmëri për t'iu përgjigjur rasteve të mundshme të goditjeve nga i nxehti. Njëkohësisht, shqetësim mbetet edhe rreziku i shtuar për zjarre, veçanërisht në zonat me temperatura më të larta dhe thatësirë të zgjatur.

Kjo është vala e dytë e të nxehtit që prek Francën gjatë vitit 2026, edhe pse vera astronomike sapo ka nisur. Muaji maj solli temperatura rekord në disa rajone, ndërsa pranvera e këtij viti u regjistrua si më e nxehta në historinë moderne të matjeve meteorologjike në vend.

Ekspertët e klimës paralajmërojnë se episode të tilla po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në Evropë. Sipas tyre, ndryshimet klimatike po rrisin frekuencën dhe intensitetin e valëve të të nxehtit, duke e kthyer kontinentin evropian në një nga rajonet më të ekspozuara ndaj pasojave të ngrohjes globale.


 


Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat