Shqipëria Postuar më 9 Korrik 2026, 10:40

Mbi 41 mijë fermerë aplikuan në skemën kombëtare - Kërkesat kalojnë 7 miliardë lekë, interes i lartë për blegtorinë

Nga Alida Lula

Mbi 41 mijë fermerë aplikuan në skemën kombëtare -

Mbi 41 mijë fermerë kanë aplikuar për të përfituar nga skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi për vitin 2026, ndërsa vlera e kërkesave ka tejkaluar 7 miliardë lekë, nga 5,2 miliardë lekë që është fondi i vënë në dispozicion nga qeveria. Interes të lartë ka pasur edhe në sektorin e blegtorisë, ku aplikimet arrijnë në rreth 3,3 miliardë lekë, si dhe në bletari, ku kërkesat kapin vlerën e 1,1 miliardë lekëve, pas dyfishimit të mbështetjes nga 10 mijë në 20 mijë lekë për koshere.

Mbi 280 të rinj kanë aplikuar për grantin prej 10 mijë eurosh, një masë që synon të nxisë përfshirjen e të rinjve në sektorin bujqësor. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural do të kryejë verifikimin administrativ dhe kontrollin e çdo dosjeje përpara shpalljes së përfituesve.

Skema parashikon mbështetje financiare për sektorë të ndryshëm të bujqësisë, duke përfshirë blegtorinë, bletarinë, dosat dhe paradosat, kontrollin biologjik, fermat organike, certifikimin Global G.A.P., sipërfaqet e mbjella, si dhe ripopullimin në ujërat e brendshme.

Afati fillestar për aplikime ishte 26 qershori, por u shty deri më 6 korrik për t'u krijuar mundësi më shumë fermerëve të përfundojnë procedurat.

Procesi i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026 nisi më 25 maj dhe synon të mbështesë rritjen e prodhimit bujqësor, modernizimin e fermave dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat