Shqipëria Postuar më 21 Korrik 2026, 10:41

Rikonstruksion nënstacionit elektrik në Kinostudio - OSSH hap garën, investimi synon uljen e ndërprerjeve të energjisë

Nga Ernilda Luzi

Rikonstruksion nënstacionit elektrik në Kinostudio - OSSH hap

Drejtoria e Tensionit të Lartë OSSH sh.a ka shpallur procedurën e prokurimit për rikonstruksionin dhe fuqizimin e nënstacionit elektrik të Kinostudios në Tiranë. Fondi limit i projektit është 549 milionë e 972 mijë lekë.

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, investimi synon transformimin e nënstacionit ekzistues 35/20/6 kilovolt në një nënstacion modern me nivel tensioni 110/35/20 kilovolt, duke rritur ndjeshëm kapacitetet e furnizimit me energji elektrike për kryeqytetin.

Projekti parashikon instalimin e një transformatori të ri me fuqi 40 deri në 50 megavolt-amper, si edhe pajisje të reja për komandim, mbrojtje dhe telekomunikacion. Punimet do të realizohen duke shfrytëzuar hapësirat ekzistuese të nënstacionit, ndërsa furnizimi me energji për konsumatorët do të vijojë pa ndërprerje gjatë zbatimit të projektit.

Nënstacioni do të pajiset me sisteme të avancuara monitorimi dhe komunikimi. Në projekt përfshihet edhe ndërtimi i një linje të re kabllore 35 kilovolt, me gjatësi mbi 2 kilometra, nga nënstacioni i Kinostudios drejt zonës së Linzës. Ky investim vjen si përgjigje ndaj problematikave të krijuara ndër vite në linjat ekzistuese, të cilat janë dëmtuar dhe janë bërë të vështira për mirëmbajtje, për shkak të ndërtimeve pa leje që kanë rrethuar shtyllat e tensionit të lartë.

Referuar dokumentit, projekti do të zbatohet sipas standardeve më të fundit teknike. Investimi do të sjellë përfitime të rëndësishme për rrjetin energjetik të Tiranës. Mes tyre renditen rritja e kapaciteteve të shpërndarjes së energjisë, përmirësimi i cilësisë së furnizimit për familjet dhe bizneset, ulja e humbjeve teknike në rrjet, si edhe reduktimi i ndërprerjeve të energjisë.

Në dokument theksohet se nevoja për këtë investim është bërë, për shkak të zhvillimit të vrullshëm urban të kryeqytetit veçanërisht në zonën e Bulevardit të Ri, verilindjen e Tiranës dhe zonat e reja të banimit. Nënstacioni aktual, i ndërtuar në vitet '70, nuk përballon më kërkesën në rritje për energji elektrike, pavarësisht ndërhyrjeve të kryera në vitin 2021.

Ndërkohë, nënstacioni i Kinostudios do të lidhet më mirë me nënstacionet e tjera të Tiranës dhe do të rrisë sigurinë e furnizimit në një pjesë të konsiderueshme të qytetit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat