Shqipëria Postuar më 16 Qershor 2026, 10:09

Shqiptarët zgjedhin gjithnjë e më shumë automjetet aziatike - Mbi 41% e totalit vijnë nga Koreja e Jugut dhe Kina

Nga Ernilda Luzi

Shqiptarët zgjedhin gjithnjë e më shumë automjetet aziatike

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka publikuar raportin mbi regjistrimin e mjeteve në vend për periudhën janar-maj 2026, duke pasqyruar origjinën e automjeteve të regjistruara për herë të parë në Shqipëri.

Sipas të dhënave, Republika e Koresë vijon të mbajë vendin e parë si burimi kryesor i automjeteve të regjistruara për herë të parë, me 24.3% të totalit. Ky tregues konfirmon interesin në rritje të qytetarëve shqiptarë për automjetet koreane, të cilat prej vitesh kanë fituar terren falë kombinimit të teknologjisë, efikasitetit dhe kostove konkurruese.

Në vendin e dytë renditet Kina me 17.6% të totalit të regjistrimeve. Rritja e pranisë së automjeteve kineze në tregun shqiptar pasqyron zgjerimin e ofertës së prodhuesve kinezë, veçanërisht në segmentin e automjeteve elektrike dhe hibride, të cilat po tërheqin gjithnjë e më shumë interes nga konsumatorët.

Ndërkohë, Gjermania mbetet një nga burimet tradicionale të automjeteve të importuara në vend, duke përfaqësuar 12.2% të totalit të mjeteve të regjistruara për herë të parë. Pas saj renditet Italia me 11.9%, duke ruajtur pozicionin si një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë edhe në sektorin e automjeteve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë 7.8% të totalit të regjistrimeve të reja, ndërsa Zvicra përfaqëson 6.9%.

Të dhënat tregojnë se automjetet me origjinë nga vendet aziatike po fitojnë gjithnjë e më shumë peshë. Vetëm Republika e Koresë dhe Kina së bashku përbëjnë mbi 41% të totalit të mjeteve të regjistruara për herë të parë, duke reflektuar tendencat e konsumatorëve shqiptarë dhe transformimin e tregut automobilistik.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat