Shqipëria Postuar më 2 Korrik 2026, 10:39

“Synojmë që pensioni mesatar të arrijë 400 euro në vitin 2029’’ - Rama e Ibrahimaj: Rritja ekonomike, më shumë të ardhura për të moshuarit

Nga Diamila Leka

“Synojmë që pensioni mesatar të arrijë 400 euro

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, prezantuan masat e reja të qeverisë për rritjen e të ardhurave të pensionistëve.

Gjatë takimit me të moshuarit, Rama theksoi se performanca pozitive e ekonomisë shqiptare po përkthehet në mbështetje konkrete për shtresën e tretë.

Përveç objektivit prej 400 eurosh për pensionin mesatar të personave me karrierë të plotë pune, qeveria synon që pensioni mesatar për ata me vite të pjesshme sigurimi, të arrijë në 220 euro.

“Bonusi nuk ka lidhje me asgjë tjetër, përveçse me vëmendjen që ju kemi premtuar se do të kemi vijimësisht, jo vetëm për të zbatuar politikën e re që vendosëm dhe që ju tanimë po e prekni për rritjen e përvitshme të pensioneve, por edhe duke ju qëndruar pranë kur ekonomia na jep mundësi. Dhe ka, për shembull, një komponent që ne nuk e kishim parashikuar në të ardhurat tona, që ishte rritja e të ardhurave nga rritja e çmimit të naftës. U rrit çmimi i naftës dhe, vetiu, u rritën edhe të ardhurat nga taksat, të gjitha ato që janë aty brenda në çmim për buxhetin e shtetit. E gjithë ajo pjesë që erdhi nga rritja e çmimit për shkak të luftës do ta merrni ju, do ta marrin pensionistët.”

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj u shpreh se rritja ekonomike e viteve të fundit ka krijuar mundësinë që përfitimet të rishpërndahen tek qytetarët, veçanërisht tek pensionistët.

“Prej shumë vitesh kemi folur për dëshirën dhe nevojën për të rritur të ardhurat e pensionistëve. Qëllimi ynë ka qenë që rritja ekonomike të mos mbetet vetëm një shifër statistikore, por të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të pensionistëve.”

Ibrahimaj theksoi se skema nuk do të mbështetet vetëm te indeksimi vjetor i pensioneve, por edhe te politika e bonuseve, e cila është bërë tashmë pjesë e e paketës sociale. Së bashku me efektin e indeksimit të pensioneve dhe bonuset, mbështetja shtesë për pensionistët gjatë vitit 2026 arrin në rreth 17 miliardë lekë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat