Analiza Postuar më 27 Korrik 2026, 10:42

Si ndryshoi tregu i punës në kulturë? Mbi 33 mijë të punësuar, meshkujt dhe të rinjtë dominuan tregun

Nga Eldiona Serani

Si ndryshoi tregu i punës në kulturë? Mbi 33 mijë të

Sektori i kulturës ka vijuar të ruajë një rol të rëndësishëm në tregun e punës në Shqipëri edhe gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, bazuar në Anketën e Forcave të Punës, në aktivitetet ekonomike dhe profesionet që lidhen me kulturën rezultojnë të punësuar  mbi 33 mijë persona mbi moshën 15 vjeç. Ky numër përfaqëson 3% të punësimit total në vend, duke shënuar një rritje prej 0.1 pikë përqindje krahasuar me vitin 2024.

Në krahasim me dy vite më parë, sektori ka zgjeruar peshën e tij në tregun e punës. Në vitin 2023, në aktivitetet kulturore ishin të punësuar  rreth 28 mijë persona, ose 2.5% e punësimit gjithsej, ndërsa në vitin 2024 ky numër u rrit në  mbi 34 mijë  persona, duke përfaqësuar 2.9% të punësimit. Edhe pse gjatë vitit 2025 numri i të punësuarve ka pësuar një rënie të lehtë në raport me një vit më parë, pesha e sektorit në totalin e punësimit është rritur, çka tregon se kultura vazhdon të ruajë rëndësinë e saj në ekonominë shqiptare.

Statistikat tregojnë gjithashtu se punësimi në kulturë dominohet nga meshkujt. Në vitin 2025, ata përbënin 62.8% të të gjithë të punësuarve në këtë sektor, ndërsa gratë vetëm 37.2%. Krahasuar me vitin 2024, kur meshkujt përfaqësonin 54.4% dhe gratë 45.6% të punësimit në kulturë, vihet re një rritje e ndjeshme e pjesëmarrjes së burrave me 8.4 pikë përqindje dhe një ulje përkatëse e përfaqësimit të grave.

Sipas INSTAT, përfaqësimi i grave në sektorin e kulturës mbetet më i ulët edhe në raport me tregun e përgjithshëm të punës. Në nivel kombëtar, gratë zënë 37.2% të punësimit total në ekonomi, ndërsa në sektorin kulturor pesha e tyre vazhdon të jetë më e kufizuar, duke reflektuar diferencat gjinore që vazhdojnë të ekzistojnë në këtë fushë.

Një tjetër tregues me interes lidhet me pjesëmarrjen e të rinjve. Personat e grupmoshës 15–29 vjeç përbëjnë vetëm 15.4% të punësimit total në ekonomi, por në sektorin e kulturës ata zënë 25.1% të të punësuarve. Kjo tregon se aktivitetet kulturore vazhdojnë të jenë një nga fushat ku të rinjtë gjejnë më shumë mundësi punësimi krahasuar me sektorë të tjerë të ekonomisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat