Analiza Postuar më 2 Korrik 2026, 11:23

Studentët e huaj zgjedhin Shqipërinë për studime/ Të rinjtë nga Italia, Kosova dhe vendet e rajonit dominojnë regjistrimet

Nga Eldiona Serani

Studentët e huaj zgjedhin Shqipërinë për studime/ Të

Studimet jashtë vendit u ofrojnë studentëve mundësinë të njihen me sisteme të ndryshme arsimore, të pasurojnë përvojën e tyre akademike dhe kulturore, si dhe të zhvillojnë aftësi profesionale e ndërkulturore që rrisin mundësitë në tregun e punës. Në të njëjtën kohë, prania e studentëve të huaj në Shqipëri, kontribuon në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar mes universiteteve, nxit shkëmbimin e njohurive dhe rrit diversitetin në institucionet e arsimit të lartë.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit akademik 2025–2026, studentët e huaj përbënin 2.1% të numrit total të studentëve të regjistruar në arsimin e lartë në Shqipëri. Krahasuar me një vit më parë, pesha e tyre është rritur me 0.3 pikë përqindje, duke treguar një interes në rritje të të huajve për të ndjekur studimet universitare në vend.

Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e studentëve të huaj, janë të regjistruar në programet Bachelor dhe Master, çka dëshmon se këto dy cikle mbeten më tërheqëset për të rinjtë që zgjedhin Shqipërinë për të studiuar. Numri më i kufizuar i studentëve të huaj në programet profesionale dhe ato të doktoraturës, tregon se kërkesa për këto nivele studimi mbetet më e ulët.

Për tre vitet e fundit akademike, studentët meshkuj të huaj kanë qenë në numër më të lartë se studentet femra. Sipas shpërndarjes sipas shtetësisë, Italia vijon të jetë burimi kryesor i studentëve të huaj në Shqipëri, duke përfaqësuar 45.9% të totalit. Në vendin e dytë renditet Kosova me 11.9%, e ndjekur nga Mali i Zi me 4.6%, Turqia me 4.2% dhe Greqia me 3.8%. Këto të dhëna tregojnë se universitetet shqiptare tërheqin kryesisht studentë nga vendet fqinje dhe rajoni, por edhe nga vende të tjera me lidhje të forta arsimore dhe kulturore me Shqipërinë.

Edhe shpërndarja sipas gjinisë ndryshon në varësi të nivelit të studimit. Studentët meshkuj dominojnë në programet Bachelor dhe në studimet e doktoraturës, ndërsa në programet profesionale dyvjeçare dhe në programet Master vihet re një pjesëmarrje më e lartë e studenteve të huaja. Këto dallime pasqyrojnë prirje të ndryshme në zgjedhjen e programeve të studimit sipas gjinisë dhe nivelit të arsimit të lartë, duke treguar se preferencat akademike ndryshojnë mes studentëve dhe studenteve të huaja.

Studentët e huaj zgjedhin Shqipërinë për studime/ Të

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat