Euro, e qëndrueshme pranë 1.07 dollarëve – Banka Qendrore Europiane sinjalizon të tjera rritje të interesave në vijim
Dollari amerikan po këmbehet i qëndrueshëm në sesionin e sotëm, ndërsa një mbështetje e ka gjetur nga rritja e yield-eve të obligacioneve të thesarit amerikan. Por, fitimet po kufizohen nga pritshmëritë se Rezerva Federale mund të mos rrisë normën bazë të interesit në takimin e javës së ardhshme. Analistët vlerësojnë rreth 30% mundësi, që banka qendrore amerikane të rrisë normën bazë të interesit edhe me 25 pikë bazë, në takimin e së mërkurës.
Ndërkohë, Banka e Kanadasë e rriti normën bazë të interesit në 4.75%, niveli më i lartë në 22 vitet e fundit, pas një pauze 4-mujore. Më herët gjatë kësaj jave, edhe Rezerva Federale e Australisë e rriti normën bazë në 4.1%, niveli më i lartë në 11 vitet e fundit. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 104, shumë pranë nivelit më të lartë në 2 muajt e fundit. Në anën tjetër, euro po këmbehet në rreth 1.07 dollarë, ndërsa paundi po këmbehet në rreth 1.2450 dollarë.
Ndër zhvillimet e tjera, politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane sinjalizuan se normat e interesit do të qëndrojnë të larta për një kohë më të gjatë, sepse inflacioni është ende shumë larg objektivit prej 2%. Ndër monedhat e tjera lira turke ka prekur një nivel të ulët rekord prej rreth 23.4 në raport me dollarit amerikan. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 26,400 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1840 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.