Fabio Panetta nga BQE, tek Ekonomia? “Loja” e emrave për qeverinë e re italiane. Vijojnë bisedimet mes aleatëve
Pak më shumë se 24 orë nga arritja e një suksesi historik, kreu i partisë “Vëllezërit e Italisë”, Giorgia Meloni, ka nisur të mendojë për ravijëzimin e kabinetit qeveritar. Çështja më e nxehtë është ajo e menaxhimit të financave publike, që është vendimtare edhe për marrëdhëniet me Brukselin. Nga kjo pikë, Meloni pritet të nisë punën për formimin e kabinetit qeverisës ku ministritë më me peshë janë e Brendshme, e Mbrojtjes, Drejtësisë, e Punëve të Jashtme dhe e Ekonomisë.
Pikërisht Ministria e Ekonomisë është më delikatja dhe kreu i saj pritet me ankth nga Bashkimi Europian, si dhe tregjet. Objektivi është një figurë prestigjioze ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë I besueshëm politikisht. Prej ditësh janë shtuar zërat se “Vëllezërit e Italisë” po mendojnë për këtë post Fabio Panetta, ekonomist dhe ish-drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Italisë, i cili që nga 1 janari 2020 është anëtar i Komitetit Ekzekutiv i Bankës Qendrore Europiane.
Sipas njoftimeve, pak ditë më parë Meloni ka zhvilluar dy takime me Panetta dhe burime të besueshme thonë së për momentin ai synon kreun e Bankës Qendrore të Italisë. Gjithsesi, shifrat e konsoliduara të mazhorancës në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve mund ta bindin Panettën që të pranojë këtë post.
Një ministri tjetër mjaft e rëndësishme është ajo e Punëve të Jashtme, krahas ish-ambasadorit Giulio Terzi di Sant’Agata, pretendent është edhe Antonio Tajani, i cili ka një eksperiencë të vyer europiane me profil të moderuar. Nëse kjo nuk do të ndodhë, Tajani mund të synojë kreun e Dhomës së Deputetëve, ose Ministrinë e Mbrojtjes.
Përsa i përket ministrive të tjera pretendentët janë të shumtë, ndërsa do të vijojnë bisedimet mes aleatëve të qendrës së djathtë, për të vendosur në një kohë të shkurtër emrat përfundimtarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.