FMN tregon si të rritet përfshirja e grave në punësim – “Fuqizoni aksesin në shërbimet e kujdesit për fëmijët dhe programet pas shkollës”
Mbështetja më e tragetuar dhe politikat e ndërgjegjshme gjinore mund të përmirësojnë tregun e punës duke rritur pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në të gjithë nivelet e arsimit dhe reduktimin e dallimeve gjeografike.
Llogaritjet e stafit të FMN-së tregojnë se Shqipëria shpenzoi vetëm 0.7 për qind të buxhetit të vitit 2022 për politika aktive të tregut të punës. Në një analizë të publikuar së fundmi Fondi Monetar Ndërkombëtar thekson se shifra të ngjashme janë përfshirë në projektbuxhetin 2024, ku shpenzimet bruto për tregun e punës dhe Politikat e Arsimit dhe Formimit Profesional janë në nivelin 0.09 për qind e buxhetit të vitit 2024.
Përveç kësaj, politikat që adresojnë pjesëmarrjen e femrave në forcën punëtore, kanë pasur sukses të kufizuar, me vetëm 1 për qind të grave që marrin pjesë në aktivitete aktive të programeve të tregut të punës.
Sipas FMN, fuqizimi arsimor, si një mekanizëm më vete, nuk mund të sigurojë rritjen e nevojshme të pjesëmarrjes së femrave në fuqinë punëtore ose zvogëlimin e hendekut gjinor të pagave.
Prandaj Shqipëria duhet të forcojë sistemin e mbështetjes për fëmijët dhe të moshuarit nëpërmjet zgjerimit të shërbimeve institucionale, pasi nevojat për përkujdesje në Shqipëri plotësohen kryesisht nga gratë. Kjo përfshin rritjen e aksesit në shërbimet e kujdesit për fëmijët dhe programet pas shkollës.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.