FRONTEX, bilanc 3 vjeçar për kufirin shqiptar – Detajet e operacionit antikontrabandë BE-Shqipëri!
Tre vjet më parë, Frontex nisi operacionin e parë të përbashkët të plotë jashtë Bashkimit Evropian, në Shqipëri. Nisma shënoi një fazë të re për bashkëpunimin kufitar midis BE-së dhe partnerëve të saj në Ballkanin Perëndimor.
“Falë bashkëpunimit të shkëlqyer, autoritetet shqiptare dhe oficerët e Frontex kanë mundur të identifikojnë 65 raste kontrabande personash dhe 35 raste të kontrabandës së drogës, përfshirë 747 kg kanabis, 642 kg kokainë dhe 82 kg heroinë. Frontex ka zbuluar gjithashtu 63 raste të mashtrimit me dokumente dhe 23 automjete të vjedhura” shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e Frontex. .
Agjencia vazhdon mbështetjen e saj për Shqipërinë në disa operacione tokësore, detare dhe ajrore. Synimi i tyre mbetet të trajtojnë krimin ndërkufitar dhe të forcojnë bashkëpunimin evropian në funksionet e rojës bregdetare dhe aktivitetet e zbatimit të ligjit.
“Pjesëmarrja e kaq shumë shteteve anëtare në operacionin në Shqipëri çoi në forcimin e bashkëpunimit midis ekspertëve dhe oficerëve vendas dhe në rritjen e mbikëqyrjes kufitare në zonat operative.
Operacioni gjithashtu përforcoi kapacitetin e autoriteteve shqiptare në koordinimin e një operacioni të përbashkët dhe integrimin e stafit dhe pajisjeve në strukturën kombëtare. Operacioni vazhdon të japë rezultate të jashtëzakonshme” shprehet Behar Tafa, kreu i Qendrës së Koordinimit Lokal, Shqipëri.
Në misionin e FRONTEX në Shqipëri janë 132 oficerë që asistojnë autoritetet shqiptare në kryerjen e patrullimeve dhe mbikëqyrjes kufitare.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.