Hapet tenderi për teatrin e ri kombëtar – I ndarë në disa lote, 1 miliardë e 854 milionë lekë faza e parë
Pas zvarritjes nëpër gjykata, puna për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar po vijon teksa është publikuar edhe tenderi për fazën e parë të projektit. Nën emrin “Procedurë e Hapur mbi kufirin e lartë monetar”, me objekt ndertimi “Godina e Teatrit Tiranë – Faza I-rë”, tender I ndarë në disa lote prek vlerën e 1 miliardë e 854 milionë lekëve.
Projekti konsiston në ndërtimin e një teatri të ri në Tiranë me një sipërfaqe prej 8000 metër katrorë mbitokë dhe 5000 metër katrorë nëntokë në 3 nivele. Ndërtesa do të jetë një ndër atraksionet më kryesore të qytetit në qendër të Tiranës. Kostoja e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar pritet të kap vlerën e 30 milionë euro.
Projekti për Teatrin e ri Kombëtar me vendodhje në pozicionin ku ka qenë edhe teatri I vjetër dhe ai eksperimental do të jetë po I njëjti siç është prezantuar dhe në idenë fillestare nga kryeministri Edi Rama në maj të vitit 2020.
Pamja e teatrit do të jetë në formën e një fjongoje e cila ka për qëllim pasqyrimin e drejtpërdrejtë të funksioneve dhe programeve që zhvillohen brenda saj. Auditori kryesor është i ndërprerë në zemër të tij ndërkohë që dy fundet shtrihen që të marrin funksionet respektive për hapësirën publike dhe atë administrative. Fasada ka dy pasqyrime kryesore:”guaskën” e betonit të derdhur në kallëpe që krijon një strukturë në trajtë ure, dhe 2 fundet e hapur të cilat lidhin aktivitetin brenda teatrit me qytetin
Nga ana tjetër fasada krijon një “libër tregimesh” për publikun duke lejuar teatrin që të veprojë si një skenë më vete thuhet në tender.
Siç është thënë më parë investimet për këtë project do të bëhen nëpërmjet fondeve publike.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.