Hapet ura e re bregdetare në Adriatik – Me ndihmën e BE-së dhe Kinës, Kroacia lidh rajonin e ndarë!

Kroacia ka hapur një urë të shumëpritur që lidh dy pjesë të vijës bregdetare të vendit të Detit Adriatik duke anashkaluar një pjesë të vogël të territorit të Bosnjës. Zyrtarët e lartë dhe të ftuarit u mblodhën të martën në mbrëmje për një ceremoni zyrtare hapjeje që përfshinte një mbikalim me avionë ushtarakë, fjalime, shfaqje dhe fishekzjarre.
Më herët gjatë ditës, shumë kroatë u përballën me të nxehtin e verës për të qenë ndër të parët që kaluan urën e Peljesaçit në këmbë ndërsa ajo u hap për këmbësorët përpara inaugurimit zyrtar.
E bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe e ndërtuar nga një kompani kineze, ura elegante me kabllo me gjashtë shtylla është një sipërmarrje e rrallë e llojit të saj mes shqetësimeve në Europë mbi përpjekjen e Kinës për të rritur ndikimin e saj ekonomik nëpërmjet investimeve në infrastrukturë.
Në një video-mesazh të transmetuar në ceremoninë e hapjes, kryeministri kinez Li Keqiang tha se ura “ilustron marrëdhënie miqësore” midis vendit të tij dhe Kroacisë, por edhe midis Kinës dhe BE-së.
Ura 2.4 kilometra shtrihet në detin Adriatik për të lidhur kontinentin e Kroacisë me gadishullin Peljesaç në jug, duke lejuar akses më të lehtë në destinacionin më të rëndësishëm turistik të vendit, qytetin mesjetar të Dubrovnikut të rrethuar me mure.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç e përshkroi ditën si historike për vendin, i cili u bashkua me BE në 2013 pas ndarjes nga ish-Jugosllavia dhe kalimit të një lufte në vitet 1990.
Federata Jugosllave nuk kishte kufij të brendshëm midis gjashtë republikave të saj, duke përfshirë Kroacinë dhe Bosnjën. Por kur u shpërbë në fillim të viteve 1990, dy pjesët e vijës bregdetare të Detit Adriatik të Kroacisë u ndanë nga një rrip i ngushtë i Bosnjës.
Si banorët ashtu edhe turistët duhej të kalonin kontrollet kufitare, gjë që ngadalësoi trafikun dhe bëri që banorët e zonës jugore të ndjeheshin të izoluar nga pjesa tjetër e vendit. Kjo zonë përfshin Dubrovnikun, një qytet mahnitës mesjetar që ka qenë në listën e trashëgimisë së mbrojtur të UNESCO-s dhe është atraksioni më i madh turistik i Kroacisë.
Ura më në fund u bë realitet në vitin 2017 kur BE-ja ndau 357 milionë euro, të cilat mbuluan pjesën më të madhe të kostos prej 526 milionë euro. China Road and Bridge Corporation në vitin 2018 fitoi një tender ndërkombëtar për ndërtimin e urës.
Projekti, megjithatë, ishte përballur me kritika nga Bosnja, zyrtarët e së cilës u ankuan për çështje të pazgjidhura kufitare dhe thanë se ura do të pengonte hyrjen në pjesën e saj të vijës bregdetare.
E njohur për natyrën e saj mahnitëse dhe qindra ishuj të Detit Adriatik, Kroacia është një destinacion kryesor turistik, duke tërhequr miliona njerëz nga Europa dhe e gjithë bota çdo verë. Turizmi është gjithashtu kyç për ekonominë e Kroacisë, e cila mbetet ndër më të dobëtat në BE.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.