Inflacioni i qendrueshëm edhe në muajin prill – Çmimet u shtrenjtuan me 2.3% sipas metodës Europiane
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit të matur sipas metodës europiane për muajin prill të këtij viti fiksohet në 2.3%. Ndërkohë, norma e inflacionit sipas Instat po për të njëjtin muaj fiksohet në 2.1%. Theksojmë se në të dyja rastet inflacioni përllogaritet nga i njëjti institucion, por ka diferenca të vogla për shkak të peshës që i jepet secilit grup në normën e inflacionit.
“Scan Intel’’ ka analizuar indikatorët që ndikuan në rritjen çmimeve gjatë këtij muaji dhe të dhënat zyrtare tregojnë se kanë kontribuar pozitivisht të gjitha grupet, ndryshe nga më herët ku kemi parë se grupi “Transporti” ka kontribuar negativisht për muaj me rradhë.
Nëse flasim për ndryshimin vjetor të grupeve shohim se rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Shërbimi arsimor” me 3.9 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.3 %, “Veshje dhe këpucë”, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2.9 % secila, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2.8 %, “Shëndeti” me 2.5 % , “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.6 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1 %, “Transporti” me 0.6 % dhe “Komunikimi” me 0.1 %.
Gjithashtu janë analizuar edhe shifrat e inflacionit për vendet e Europës për të parë sesi renditet Shqipëria mes tyre. Sipas shifrave të publikuara konstatojmë një mesatare të rritjes vjetore të çmimeve në Bashkimin Europian përgjatë muajit prill me 2.6%, duke e renditur Shqipërinë poshtë vijës së mesatares së BE-së.
Nga ana tjetër, shifrat pozicionojnë Rumaninë, Belgjikën dhe Kroacinë, si shtetet me rritjen më të lartë të çmimeve për muajin prill të vitit 2024. Rritja e çmimeve në këto shtete ishte më shumë se dyfishi i mesatares së BE. Në të kundërt inflacioni në vendet si Finlanda, Danimarka dhe Lituania ishte në nivelet më të ulëta dhe gati i papërfillshëm krahasimisht me mesataren e BE-së.
Armela Duka/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.