Jepen kreditë e para me interes zero për 300 familje – Rama: Mbështesim Forcat e Armatosura, mjekët dhe policinë
300 familje të reja në radhët e mjekëve, ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit kanë përfituar kredi të favorshme për shtëpi, me zero interes. Ky është një program i aplikuar për herë të parë këtë vit, i cili bëhet në bashkëpunim me banka të nivelit të dytë, ku interesi do të subvencionohet tërësisht nga buxheti i shtetit. kryeministri Edi Rama theksoi se qëllimi është që të mbështeten familjet e reja nga këto kategori dhe të dekurajohet emigrimi.
“Ky program i dhënies së kredive për shtëpi për të gjithë ata që kanë familje të reja, me të gjitha interesat e marra përsipër nga shteti, është një program që faktikisht e bën plotësisht te mundur atë që pa këtë program është e pamundur që të marrin një kredi dhe të blejnë një shtëpi. Sot interesat bankare janë mbi 6%. Janë shumë për dikë që ka vetëm një pagë dhe për më tepër nuk është e lehtë për bankat që ta japin këtë kredi duke pasur parasysh perspektivën, ndërsa duke patur këtë kredi me asnjë interes, ndryshon krejtësisht panorama dhe të gjitha llogaritë që Ministria e Financave ka bërë, është shumë e qartë që ky është një program fitues për të gjithë ata që përfshihen në këtë program”.
Ndërsa Ministri i Financave, Ervin Mete theksoi se ky program do të zgjerohet edhe në kategori të tjera.
Aplikimet për punonjësit e administratës publike që përfitojnë nga programi i kredisë së lehtësuar për blerjen e banesës janë hapur më 16 shtator të këtij viti dhe ky shërbim është mundësuar në portalin e-Albania.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.