Kanadaja, ndihmë Ukrainës për grurin – Trudeau: Të sigurohemi që Rusia të mos e ndalojë ushqimin që i nevojitet botës
Kanadaja do të ndihmojë Ukrainën për të eksportuar drithrat e magazinuara që të mbështesë sigurinë globale të ushqimit, e cila është tronditur nga pushtimi rus i vendit, tha kryeministri kanadez, Justin Trudeau, në një intervistë për Reuters.
Rreth 25 milionë ton drithra janë bllokuar në Ukrainë dhe nuk mund të largohen nga vendi për shkak të sfidave të infrastrukturës dhe porteve të bllokuara të Detit të Zi, përfshirë Mariupolin, tha javën e kaluar një zyrtar i agjencisë ushqimore të OKB-së.
Çmimet e ushqimeve u rritën në nivele rekord në mars, pas pushtimit rus të Ukrainës, eksportuesit nr.4 në botë të misrit në sezonin 2020/21 dhe eksportuesit nr.6 të grurit. Çmimet ranë lehtë në prill.
“Ne e dimë se njerëzit në mbarë botën do të vdesin nga uria për shkak të veprimeve të Rusisë. Ka sasi të konsiderueshme drithi në pritje dhe duhet të sigurohemi që Rusia të mos e ndalojë ushqimin që i nevojitet botës. Ne thjesht po kërkojmë të zgjidhim një problem shumë të drejtpërdrejtë”, tha Trudeau
Analistët e tregut kanë paralajmëruar se Ukraina do të përballet me një mungesë të konsiderueshme të drithrave në sezonin 2022/23 për shkak të një rënie të lartë të eksporteve.
Trudeau, në një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë, tha pas takimit të tij me Presidentin Volodymyr Zelenskiy të dielën se Kanadaja po jepte 25 milionë dollarë për Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së si pjesë e përpjekjeve për të mbështetur sigurinë ushqimore. Kanadaja gjithashtu do të heqë tarifat tregtare për të gjitha importet e Ukrainës në Kanada për vitin e ardhshëm.
Blerta Lata / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.