Kanali i ri në Detin Baltik do ta bëjë lundrimin e anijeve polake të pavarur nga Rusia!
Një festë e madhe për një rrugë të shkurtër: Në mes të muajit shtator, kryeministri polak Mateusz Morawiecki dhe presidenti i shtetit Andrzej Duda inauguruan në bregdetin polak një kanal, që lidh portin e Elblagut me Detin Baltik.
Kanali është një e çarë 1,3 kilometra e gjatë nëpër Vistula Spit, një rrip i gjatë gadishulli, një pjesë e të cilit ndodhet në Poloni, kurse pjesa tjetër në enklavën ruse të Kaliningradit. Kanali do t’u kursejë anijeve në të ardhmen një rrugë 60 kilometra të gjatë, që kalon nëpër ujërat territoriale ruse në afërsi të portit Baltijsk, në Kaliningrad. Midis Polonisë dhe Rusisë ekzistojnë marrëveshje që rregullojnë kalimin nëpër rrugët ujore, por shpesh qarkullimi pa problem në këtë rrugë varet nga moti në Poloni. Kjo varësi nuk do të ekzistojë më në të ardhmen, këtë gjë shpreson qeveria polake.
Edhe festimet e hapjes së kanalit kishin natyrë simbolike. Për transportin ujor asgjë nuk ka ndryshuar: Anijet e transportit duhet të kalojnë ende nëpër ujërat ruse, sepse kanali i ri është ende dy metra e gjysmë i thellë, thellësi që nuk mjafton për anijet e mëdha të mallrave. Thellimi deri në pesë metra i vijës së lundrimit është ende në procesin e punimeve. Përveç kësaj në Elblag duhet ngritur një rrethore për kthimin e anijeve. 500 milionë eurove të dhëna deri tani u duhen shtuar edhe shumë miliona të tjerë.
Kur të përfundojnë punimet e ndërtimit të kanalit, pritet që anijet deri 100 metra të gjata dhe 20 metra të gjera të mbërrijnë në portin e Elblagut. Po ashtu pritet të lehtësohet edhe Gdansku, që ka portin më të madh të kontejnerëve në hapësirën e Detit Baltik, sepse anijet mesatare të mallrave do të mund të dërgohen direkt për Elblag.
Ngarkesat që vijnë në Gdansk, mund të transportohen me anije më të vogla transporti, të ashtuquajturat anijet feeder, anijet ushqyese, për në Elblag, ku mund të bëhet zbarkimi dhe si rrjedhojë rrjeti i rrugëve dhe shinave do të lehtësohet, kështu shpresohet.
Aktualisht në Elblag përpunohen 90 mijë ton mallra. Me përfundimin e rrugës së re detare, kapaciteti mund të rritet deri në 3,5 milionë ton në vit. Tingëllon si sasi e madhe, por nuk mjafton patjetër për ta kthyer portin në motor për zhvillimin ekonomik, siç ka premtuar PiS. Sa për krahasim: Në Gdansk përpunohen çdo vit 60 milionë tone mallra, në Hamburg rreth 130 milionë ton.
Reagimet e banorëve të gadishullit për projektin e madh prestigjioz të PiS në rajonet e lidhura direkt me të, janë të ndryshme. Kritika vijnë edhe nga opozita, megjithëse më parë edhe qeveria liberale e ka mbështetur ndërtimin e kanalit. DW
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.