Keqmenaxhimi i parave publike – Tenderët, “lumë” shkeljesh nga intitucionet qendore e vendore
Procedurat tenderuese mbetën një nga sektorët kryesorë ku shkeljet dhe abuzimet me paratë publike janë të mëdha, si nga institucionet qendore ashtu dhe nga ato vendore gjatë vitit 2022. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit nga auditimet e kryra në institucionet qendrore, ku përfshihen ministritë dhe institucionet e tyre të varësisië u evidentuan raste ku kërkesat e njësisë së prokurimit, në lidhje me stafin, licencat, certifikatat e kërkuara, nuk përkojnë me tipologjinë e objektit të kontratës që prokurohet.
Po ashtu, eksiztojnë raste të përdorimit të skemës së marrëveshjeve të ndaluara nga operatorë ekonomikë të sigurimit të jo-jetës/jetës; janë përdorur procedura “negocim pa shpallje” pa plotësuar kushtet si të tilla apo raste të përllogaritjes së fondit limit në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi.
Ndërkaq, nuk kanë munguar shkeljet as gjatë zbatimit të punimeve, ku u konstatuan diferenca në volume apo punime të llogaritura jo në përputhje me projektin e zbatuar, zëra punimesh të ekzekutuar pas përfundimit të kontratës ose jashtë afateve të saj; punime të ndërtimit të realizuara jo në përputhje me specifikimet teknike; tejkalim i afateve në zbatim të kontratës; etj.
Ndërkaq, edhe njësitë e qeverisjes vendore, në fushën e prokurimit publik u evidentuan raste të paligjshmërisë së fondeve publike me pasoja dëm ekonomik si pasojë e skualifikimeve të padrejta të operatorëve ekonomikë; vendosje të kritereve jo në përputhje me zërat e preventivit, smos argumentimi në procesverbal i kërkesave në lidhje me kategoritë e licencave, etj. Shkeljet në fushën e prokurimeve publike janë kontatuar më herët edhe nga isntitucione të tjerë, por gjithsesi masat e penaliteteve, në raport me shkeljet që kontatohen mbeten të vogla.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.