KESH dështon në procedurën e optimizimit – Shpenzon 7.5 milion euro, kërkonte të shiste energji me çmim më të lartë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nuk ka mundur të përfundojë me sukses një procedurë optimizimi të shit-blerjes së energjisë, duke i kushtuar buxhetit të kompanisë 7.5 mln euro. Përmes një procedure shit – blerjeje të hapur në datën 2 shtator KESH kërkonte të blinte 39 900 Mwh dhe të shiste 5 000 Mwh, por në përfundim të procedurës është realizuar vetëm blerja e 15 120 Mwh energji, teksa çmimi mesatar me të cilin është siguruar energjia është rreth 495 euro/Mwh.
Kjo nuk është blerja e vetme e realizuar në datën 2 shtator, duke qenë se përmes një procedure tjetër të po kësaj date u shpenzuan edhe rreth 6 mln euro të tjera, teksa çmimi mesatar për këtë të fundit ishte rreth 488 euro/Mwh.
Ndërkaq, prej të mërkurës që kaloi e deri të dielën në Bursën e Hungarisë tendenca e çmimeve të energjisë ka qenë në rënie, ndërkohë që java ka nisur me rritje, duke arritur në 531.44 euro/Mwh në tregun e ditës së martë. Së bashku me blerjen e fundit, shpenzimet e energjisë arrijnë në 257.5 mln euro, teksa KESH nuk po arrin të plotësojë nevojat konsumatore nga Kaskada e Drinit, sikurse synonte në fillim të muajit gusht.
Paralelisht, niveli në liqenin e Fierzës ka shënuar tendencë në rënie, duke qenë se në datën 29 gusht niveli ishte 271.94 m, nga 281.48 m që ishtë ne fillim të këtij muaji.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.