Kosova ende e paqartë për afatin e ri-regjistrimit të targave të makinave serbe!
Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri më 31 tetor kur skadon afati që targat me inicialet e qyteteve të Serbisë nga periudha e para luftës do të mund të përdoren në Kosovë. Qytetarët serbë të Kosovës që përdorin këto targa, duhet t’i konvertojnë ato në targa të Republikës së Kosovës, në të kundërtën, makinat e tyre nuk do të mund të qarkullojnë më në Kosovë. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e Kosovës, qytetarët serbë të veriut të Kosovës po refuzojnë ti’ konvertojnë targat. Janë rreth 10 mijë targa në qarkullim në veri të Kosovës, që qeveria e Kosovës i cilëson ilegale. Për të mos u tensionuar situata pas datës 31 tetor, diplomat ndërkombëtarë të përfshirë drejtpërdrejt në lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, i kërkuan qeverisë së Kosovës që ta shtyjë këtë afat.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili javën që shkoi ishte në Beograd dhe Prishtinë tha se “është vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që ka kërkuar nga Kosova që ta shtyjë për 10 muaj afatin për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato të Kosovës”. “Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Shpresoj shumë që do të zgjasin afatin, shpresoj se do të pranojnë kërkesën e vendeve të QUINT-it dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken për ta shtyrë atë, për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për të krijuar kushtet për zbatimin e duhur”, tha Escobar gjatë qëndrimit në Beograd. Sipas tij, nëse Kosova pranon të shtyjë afatin, atëherë, gjatë këtyre dhjetë muajve “do t’iu kërkohet të bëjnë një fushatë informuese, të kryejnë më shumë konsultime me komunitetet që do të preken prej saj dhe të kenë më shumë koordinim me komunitetin ndërkombëtar”.
Edhe Bashkimi Europian, i kërkoi Kosovës që të shtyjë afatin për 10 muaj të konvertimit të targave serbe dhe regjistrimin e tyre në ato të Kosovës.
Qeveria e Kosovës akoma nuk ka konfirmuar qartë, nëse do ta shtyjë këtë afat, ndonëse në këtë fazë para datës 31 tetor, ata vazhdojnë të mbajnë qëndrimin për respektim të afatit. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se “qeveria i kupton shqetësimet dhe brengat e të ngarkuarit amerikan Gabriel Escobar dhe i ndajnë po ato shqetësime me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik i përbashkët”. “Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor akoma. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS. Ju bëjmë thirrje përsëri qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat duke përfituar nga lirimi tatimor e doganor”, tha zëdhënësi i qeverisë. DW
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.