Kosova, pa viza në BE – Ministrat e Brendshëm miratojnë liberalizimin, rradha e parlamentit europian
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian miratoi me unanimitet liberalizimin e vizave për Kosovën. Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të BE -së miratuan vendimin për liberalizimin e vizave për vendin gjatë takimit të Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.
Ministrat e miratuan këtë vendim “në lexim të parë”, pa diskutime, pasi për këtë cështje ishte rënë më parë dakord nga ana e përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare.
Tashmë rradhën e ka parlamenti europian, pasi më 12 janar të këtij viti Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, që shkurt njihet edhe si LIBE, i Parlamentit Europian, në pikën për Kosovën që ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave votoi me shumicë dërmuese pro liberalizimit të vizave.
Ekipet negociuese të Parlamentit Europian dhe kryesisë së Këshillit të BE-së, arritën marrëveshjen për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për personat me pasaportë të Kosovës.
Rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Europian përpara se të nënshkruhen dhe publikohen në faqen zyrtare të BE-së. Komisioni europianka thënë se do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë aktive zbatimin e kërkesave ndaj Kosovës, duke përfshirë harmonizimin e politikave të vizave, përmes mekanizmit pas liberalizimit të vizave.
Para se të shkojë në seancë plenare të Parlamentit Europian, dosja e liberalizimit të vizave do të hidhet në votim sërish në LIBE.
Dorina Kurtja / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.