Kosto e lartë e mungesës së aktivitetit fizik – OBSH: Në nivel global arrin në 27.4 miliardë dollarë në vit
Çmimi i pasivitetit fizik për ekonominë globale është i lartë, pasi rrit koston dhe shpeshtësinë me të cilën shfaqen sëmundjet. Këto fakte janë përmendur në një raport të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për këtë temë. Në veçanti, në bazë vjetore kostoja e mungesës së aktivitetit fizik llogaritet në 27.4 miliardë dollarë, ndërsa parashikohet që deri në vitin 2030 të ketë 500 milionë raste të reja të sëmundjeve fizike dhe mendore, të cilat nuk janë të transmetueshme dhe mund të parandaloheshin.
Kostot direkte vijnë kryesisht nga rastet e depresionit, demencës dhe hipertensionit, të cilat kumulative përbëjnë rreth 70% të totalit. “Edhe më shumë vende duhet të forcojnë zbatimin e politikave të tilla për të inkurajuar njerëzit të jenë më aktivë, të ecin, të bëjnë sporte të ndryshme ose lloje të tjera ushtrimesh fizike,” tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros.
Përfitimet që rezultojnë janë të mëdha, jo vetëm për shëndetin fizik dhe mendor të njerëzve, por edhe për shoqëritë, mjedisin dhe ekonomitë. Sipas raportit të OBSH-së, shqetësimet për obezitetin, dietën e dobët dhe mungesën e ushtrimeve janë rritur ndjeshëm, me 81% të adoleshentëve dhe 27% të të rriturve që nuk ndjekin udhëzimet për nivelet e stërvitjes dhe shpenzimet përkatëse të kujdesit mjekësor.
Sipas OBSH, vihet re se pasiviteti është i barabartë me më pak se dy orë e gjysmë ushtrime të moderuara në javë ose më pak se 75 minuta ushtrime të forta aerobike.
Hulumtimi shqyrtoi të dhënat nga 194 vende së bashku me incidencën e goditjeve në tru, kancerit dhe sëmundjeve të tjera që mund të ishin parandaluar. Kërkimi, siç pranojnë edhe shkencëtarët, është i kufizuar për shkak të mungesës së të dhënave në vendet me të ardhura mesatare ose të ulëta për frymë, ku llogaritja e kostove ishte më e vështirë.
Megjithatë, duhet theksuar se hulumtimi, i kryer nën kujdesin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nuk arrin në përfundimin se rritja e aktivitetit fizik mund të eliminojë plotësisht koston e parashikuar shumëvjeçare prej 302 miliardë dollarësh, pasi do të duhej të llogariteshin edhe shpenzimet e programeve dhe veprimeve të qeverisë për të mobilizuar qytetarët, në mënyrë që ata të ngrihen nga divani dhe të ushtrohen edhe me një shëtitje të thjeshtë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.