Kostot e larta të zëvendësimit të punonjësve me IA – Studimi për marrëdhënien e inteligjencës artificiale me vendet e punës
Një studim i Institutit Teknologjik të Massachusetts jep një përgjigje për frikën e shumë punonjësve për rrezikun e zëvendësimit nga inteligjenca artificiale. Për sa i përket kostove njerëzit janë më të lirë se makineritë në shumicën dërrmuese të profesioneve.
Ky është një nga studimet e para që shqyrton në thellësi nëse është vërtet e dobishme të zëvendësohen punonjësit me inteligjencë artificiale. Studiuesit e MIT u fokusuan në profesionet ku përdoren kompjuterët, si mësuesit dhe vlerësuesit e pasurive të paluajtshme. Dhe ata zbuluan se vetëm 23% e punëtorëve mund të zëvendësohen efektivisht nga makineritë, bazuar në nivelet e tyre të pagave.
Në rastet e tjera, dhe duke pasur parasysh se inteligjenca artificiale e kërkuar është e shtrenjtë për t’u instaluar dhe funksionuar, njerëzit mund ta bëjnë punën më ekonomikisht.
Miratimi i IA u përshpejtua vitin e kaluar pasi OpenAI publikoi ChatGPT, duke i hapur rrugë rritjes shpërthyese të këtyre mjeteve dhe duke dhënë një shije të parë të potencialit të tyre. Kompanitë e teknologjisë nga Microsoft dhe Alphabet te Baidu dhe Alibaba kanë prezantuar shërbimet e tyre të IA dhe kanë përshpejtuar punën e tyre në këtë fushë me një ritëm që madje ka alarmuar disa sektorë të industrisë. Frika për ndikimin në punë është në qendër të dyshimeve të shprehura për inteligjencën artificiale.
“Makineritë do të vjedhin vendet e punës” është ndjesiaa e shprehur shpesh në kohë ndryshimesh të shpejta teknologjike. Ky shqetësim është rishfaqur me krijimin e modeleve të mëdha gjuhësore.
Hulumtimi i shkencëtarëve u fokusua në të ashtuquajturin vizion kompjuterik, domethënë në fushën e inteligjencës artificiale që lejon makineritë të nxjerrin informacion kuptimplotë nga imazhet digjitale dhe stimuj të tjerë vizualë. Aplikacionet e tij më të njohura janë sistemet e njohjes së objekteve për makineritë që vetë drejtohen ose për kategorizimin e fotografive në telefonat inteligjentë.
Aplikimi i kësaj teknologjie është më i favorshëm financiarisht në fusha të tilla si shitja me pakicë, transporti dhe magazinimi, ku dominojnë kompani si Walmart dhe Amazon. Është gjithashtu e qëndrueshme në sektorin e shëndetësisë. Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi së fundmi se pothuajse 40% e vendeve të punës në mbarë botën mund të preken nga inteligjenca artificiale.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.