Kryeprokurorja e BE-së ‘thirrje zgjimi’ Ministrave të financave – “Rreth 130 miliardë euro TVSH të humbura ose të vjedhura nga arkat e vendeve
Sipas kreut të agjencisë së krimit financiar të BE-së, autoritetet në shtetet anëtare të BE-së nuk po tregojnë gatishmëri për të rikthyer dhjetëra miliarda fondet e humbura nga mashtrimet çdo vit.
Laura Kövesi, kryeprokurorja në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian (EPPO), tha se autoritetet tatimore të BE-së nuk po arrijnë të mbledhin rreth 130 miliardë euro TVSH çdo vit, me nga 30 miliardë deri në 60 miliardë euro të humbura nga mashtrimi ose “thjesht vjedhje” nga arkat e vendit.
“Nëse do të isha ministre e financave, ndoshta do të më humbiste gjumin për këtë”, tha ajo. “Sidomos në kontekstin aktual ekonomik kur inflacioni është shumë i lartë.”
Kövesi po fliste për Euronews ndërsa EPPO feston përvjetorin e saj të parë, pasi ka nisur zyrtarisht operacionet e saj në qershor 2021.
Zyra e pavarur e prokurorisë publike, me seli në Luksemburg, ka për detyrë të hetojë krimet që dëmtojnë buxhetet në mbarë BE-në, duke përfshirë mashtrimin, korrupsionin dhe pastrimin e parave.
I kryesuar nga një grup prokurorësh evropianë nga secili prej 22 shteteve pjesëmarrëse të BE-së, ai çon çështjet e krimit financiar përpara gjykatave kombëtare përkatëse. Një nga përfitimet e tij më të mëdha është se mund të hetojë krimet përtej kufijve, ndërsa autoritetet kombëtare janë të kufizuara në territorin e tyre.
Gjatë vitit të parë të veprimtarisë së saj, EPPO hapi 929 hetime, lëshoi 28 aktakuza dhe mori katër dënime, përveç sigurimit të urdhrave të gjykatës për ngrirjen e 259 milionë eurove në asete.
Megjithatë, pavarësisht këtyre sukseseve të supozuara, Kövesi ankohet se ajo ende duhet të bindë disa liderë të BE-së për rëndësinë e punës së EPPO-së. “Shumë shpesh, ne përballemi me një kuptim mjaft të kufizuar të implikimeve për çdo ekonomi të organizatave kriminale që mund të shkaktojnë dëme të tilla vetëm me mashtrimin e TVSH-së”, u shpreh ajo.
N.Xh / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.