Lagarde, orakulli që parashikoi rënien e dollarit – Presidentja e BQE: Po prishet rendi financiar ndërkombëtar
Në fund të muajit të kaluar, bankierë qendrorë nga e gjithë bota u mblodhën në Jackson Hole, Wyoming për takimin vjetor dyditor të Rezervës Federale. Ky kontekst dhe audienca u zgjodh nga Christine Lagarde, presidentja e BQE-së, për të parashikuar “rastësisht” nga podiumi shembjen e rendit financiar ndërkombëtar. Megjithëse paralajmërimi i saj u zbut nga zhargoni i zakonshëm, kuptimi themelor ishte mjaft i qartë dhe dramatik.
Lagarde u shpreh se ekzistojnë skenarë të mundshëm, ku mund të vërehet një ndryshim thelbësor në natyrën e ndërveprimeve ekonomike globale. Supozimet mbi të cilat është bazuar prej kohësh menaxhimi teknokratik i rendit botëror janë duke u shkatërruar. Bota, tha ajo, së shpejti mund të hyjë në një epokë të re ku normalet e vjetra mund të mos jenë më një udhërrëfyes i mirë se si funksionon ekonomia. Për politikëbërësit me një mandat stabiliteti, shtoi ajo, kjo paraqet një sfidë të rëndësishme.
Ekspertët e sektorit shprehen se paralajmërimi nga Jackson Hole nuk ishte hera e parë që Lagarde shprehu publikisht shqetësim për rendin botëror të tregjeve të lira, dominimin e dollarit dhe globalizimin, të cilin ajo ndihmoi të krijohej. Këtë çështje sigurisht e kanë ngritur edhe të tjerë, por ajo e ka folur hapur. Në prill, ajo u bë bankierja e parë qendrore perëndimore që shprehu publikisht shqetësimin për brishtësinë e dollarit, dominimi ndërkombëtar i të cilit sipas saj nuk duhej të merrej më si i mirëqenë. Presidentja e BQE-së paralajmëroi fundin e dollarit dhe parashikoi fundin e ekonomisë globale siç e njohim ne.
Sipas tyre deklaratat e Lagarde ishin të papritura, aq më tepër të bëra nga kreu i një ‘autoriteti të shenjtë monetar’, departamenti i komunikimit të të cilit rrallë ndalet në diçka më emocionuese sesa politikat e bilancit dhe rregullimet e normës së depozitave – një grua, karriera e gjatë dhe nivelet e larta të së cilës karakterizohen nga respekti për rendin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA. Më shqetësuesja nga të gjitha, sipas tyre, ishte indiferenca në dukje e Lagarde ndaj efektit të deklaratave të saj në rendin ndërkombëtar të lartpërmendur.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.