Europa Postuar më 14 Korrik 2026, 10:33

Bizneset kërkojnë ulje të kostove të energjisë - CBI dhe Energy UK, thirrje qeverisë së re të heqë disa tarifa, ul faturat me 20%

Nga Lidion Kulla

Bizneset kërkojnë ulje të kostove të energjisë - CBI

Organizatat kryesore të biznesit dhe sektorit energjetik në Britaninë e Madhe i kanë bërë thirrje qeverisë së re të ndërmarrë masa urgjente për uljen e kostove të energjisë për kompanitë, duke argumentuar se çmimet e larta po frenojnë investimet dhe rritjen ekonomike.

Ndërkohë që ish-kryebashkiaku i Mançesterit, Andy Burnham bëhet gati të marrë detyrën e kryeministrit, Konfederata e Industrisë Britanike, CBI, dhe shoqata Energy UK publikuan një raport ku theksohet se rreth 40% e bizneseve kanë reduktuar investimet për shkak të kostove të larta të energjisë. Sipas raportit, çmimi i energjisë elektrike për bizneset britanike është rreth 45% më i lartë se mesatarja e vendeve të G7-ës.

Dy organizatat propozojnë heqjen e disa tarifave, që aktualisht paguhen nga bizneset për financimin e skemave të energjisë së rinovueshme. Sipas tyre, këto kosto mund të mbulohen përmes taksave të përgjithshme ose përmes një fondi të posaçëm për tranzicionin energjetik, të financuar nga sektori publik ose privat.

Raporti rekomandon gjithashtu heqjen e taksës për ndryshimet klimatike nga faturat e energjisë elektrike për subjektet jo-familjare. Sipas vlerësimeve të CBI dhe Energy UK, zbatimi i këtyre masave mund të ulë kostot e energjisë për bizneset deri në 20%, duke përmirësuar konkurrueshmërinë e ekonomisë britanike dhe duke nxitur investime të reja.

Kryeekonomistja e CBI-së, Louise Hellem, deklaroi se Britania nuk mund të sigurojë rritje më të fortë ekonomike, të ulë koston e jetesës apo të financojë më mirë shërbimet publike, nëse kompanitë vazhdojnë të përballen me fatura kaq të larta të energjisë. Ndërkohë, Kongresi i Sindikatave në Britani ka propozuar rritjen e taksës mbi fitimet e bankave, me synimin që të ardhurat shtesë të përdoren për të ulur faturat e energjisë për shumicën e familjeve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat