Shqipëria Postuar më 14 Korrik 2026, 12:28

KPP: 444 ankesa nga janari në maj - Vlerësimi i ofertave, problematika kryesore

Nga Diamila Leka

KPP: 444 ankesa nga janari në maj - Vlerësimi i ofertave, problematika

Ankesat e operatorëve ekonomikë për procedurat e prokurimit publik kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të Komisionit të Prokurimit Publik, nga janari deri në fund të majit janë regjistruar në total 444 ankesa.

Numri i tyre nisi me 62 në janar, u rrit në 68 gjatë shkurtit dhe arriti në 94 në mars. Niveli më i lartë u regjistrua në prill, me 112 ankesa, ndërsa në maj pati një rënie të lehtë në 108 ankesa. Krahasuar me janarin, numri i ankesave të paraqitura në maj rezulton rreth 74 për qind më i lartë.

Pjesa dërrmuese e kundërshtimeve lidhet me mënyrën e vlerësimit të ofertave. Në pesë muaj, për këtë fazë janë paraqitur 300 ankesa, ose rreth 68 për qind e totalit. Ndërkohë, 143 ankesa kanë kundërshtuar dokumentet standarde të tenderit dhe vetëm një ankesë është klasifikuar në kategorinë tjetër.

Sipas objektit të kontratës, tenderët për mallra mbajnë peshën kryesore, me 233 ankesa. Pas tyre renditen shërbimet me 172 ankesa dhe punët publike me 39 ankesa.

Në total, 442 kundërshtime lidhen me procedura të prokurimit publik, ndërsa vetëm dy me procedura ankandi. Për koncesionet, partneritetet publike-private, lejet minerare dhe procedurat në fushën e mbrojtjes nuk është regjistruar asnjë ankesë. Të dhënat tregojnë se problematikat kryesore të tenderëve vijojnë të përqendrohen te faza e vlerësimit dhe te kontratat për furnizimin me mallra dhe shërbime.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat