Shqipëria Postuar më 28 Korrik 2026, 11:27

Centrali diellor i Belshit - Impianti 50 MWp nga KESH, lidhet kontrata për shërbimet mbështetëse

Nga Ola Mitre

Centrali diellor i Belshit - Impianti 50 MWp nga KESH, lidhet kontrata për

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka lidhur kontratën për ofrimin e shërbimeve mbështetëse për parkun fotovoltaik të Belshit, duke shënuar një tjetër hap në ecurinë e investimit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Kontrata lidhet me asistencën teknike për zbatimin e projektit dhe jo me ndërtimin e vetë centralit diellor, procedura e të cilit nuk është hapur ende.

Sipas njoftimit të publikuar në portalin elektronik të prokurimeve të BERZH-it, konsulenti do të mbështesë KESH-in në ngritjen dhe funksionimin e Njësisë së Zbatimit të Projektit, zhvillimin e procedurave të prokurimit, mbikëqyrjen e kontratave, përmbushjen e detyrimeve ndaj financuesve, si edhe monitorimin e standardeve mjedisore dhe sociale gjatë zbatimit të investimit.

Ndërkohë, tenderi kryesor për projektimin, ndërtimin dhe vënien në punë të parkut fotovoltaik me kapacitet 50 MWp në Belsh mbetet ende në pritje.

Projekti i parkut fotovoltaik të Belshit ka një vlerë totale prej rreth 41.7 mln euro. Financimi mbështetet nga një kredi sovrane prej 30 mln euro e BERZH-it, një grant prej 9.25 mln euro nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, ndërsa pjesa tjetër financohet nga KESH.

Impianti synon të rrisë kapacitetet gjeneruese të KESH-it, duke diversifikuar prodhimin vendas të energjisë, i cili mbështetet kryesisht tek hidrocentralet. Sipas dokumenteve të projektit, energjia e prodhuar do të përdoret për përmbushjen e Detyrimit të Shërbimit Publik, ndërsa prodhimi i parkut pritet të përfaqësojë rreth 1% të prodhimit vjetor kombëtar të energjisë elektrike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat