Shqipëria Postuar më 17 Qershor 2026, 18:08

Forumi Biznes – Dogana, Dhoma Amerikane ndërmjetëson dialogun e sipërmarrjes me institucionet  

Nga SCAN TV

Forumi Biznes – Dogana, Dhoma Amerikane ndërmjetëson dialogun e

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në bashkëpunim me Dhomën Amerikane të Tregtisë, zhvilloi sot Forumin Biznes–Dogana, një platformë e qëndrueshme dialogu mes administratës doganore dhe komunitetit të biznesit për të adresuar çështjet aktuale dhe për të forcuar bashkëpunimin.

Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Doganave, Besmir Beja, prezantoi vizionin strategjik të Administratës Doganore në funksion të integrimit europian, duke theksuar rëndësinë e përafrimit të plotë të legjislacionit doganor me “acquis communautaire” dhe avancimin e transformimit digjital të shërbimeve. Ai nënvizoi se modernizimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe ndërveprimi me sistemet e Bashkimit Europian janë shtylla kryesore për një administratë më efikase, të bazuar në të dhëna dhe menaxhim risku.

Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Neritan Mullaj, vlerësoi dialogun e strukturuar me Administratën Doganore dhe theksoi rëndësinë e këtij forumi si një instrument praktik për adresimin e çështjeve që ndikojnë në aktivitetin e biznesit. Ai nënvizoi nevojën për vijimësi në komunikim dhe përmirësim të mëtejshëm të procedurave, në funksion të një klime më të qëndrueshme dhe konkurruese për investimet.

Kryetarja e Komitetit të Taksave dhe Doganave të AmCham, Alketa Uruçi, prezantoi çështjet kryesore të adresuara gjatë vitit 2026, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të tyre në mënyrë të strukturuar dhe të qëndrueshme për të garantuar stabilitet për biznesin.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit vlerësuan punën e Administratës Doganore në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve, reduktimit të kohës së procedurave, rritjes së transparencës dhe përmirësimit të komunikimit institucional, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si një faktor të rëndësishëm për lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e parashikueshmërisë ekonomike.

Gjatë diskutimeve u trajtua gjithashtu progresi në implementimin e Sistemit të Transitit të Përbashkët me BE-në (NCTS), i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të procedurave të transitit, rritjes së transparencës dhe lehtësimit të tregtisë.

Administrata Doganore ftoi bizneset anëtare të AmCHam të aplikojnë për marrjen e statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO), si një instrument që rrit besueshmërinë, ofron lehtësi doganore dhe krijon avantazhe konkrete për operatorët ekonomikë në tregtinë ndërkombëtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat