Shqipëria Postuar më 2 Korrik 2026, 15:31

Karakaçi në Prishtinë: Shqipëria përmbushi detyrimet e Kapitullit 15 për energjinë. Nevojiten më shumë investime rajonale

Nga SCAN TV

Karakaçi në Prishtinë: Shqipëria përmbushi detyrimet

'Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet ligjore të parashikuara në Kapitullin 15 të Bashkimit Evropian për sektorin e energjisë, duke u renditur, së bashku me Malin e Zi, ndër vendet më të avancuara të rajonit në këtë drejtim.'

Deklarata u bë nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë Ministerialit të Komunitetit të Energjisë, të zhvilluar në Prishtinë, ku u diskutua ecuria e vendeve të rajonit në përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.

Karakaçi bëri të ditur se miratimi i ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike shënon përmbushjen e një detyrimi kyç në procesin e integrimit evropian.

Shqipëria ka miratuar ligjin e sektorit të energjisë elektrike, duke përmbyllur detyrimin që rrjedh nga Kapitulli 15 i energjisë. Kjo e vendos vendin tonë në një pozitë shumë të përparuar krahasuar me vendet e tjera të rajonit”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se mbi 10% e energjisë elektrike që prodhohet në Shqipëri vjen tashmë nga burimet diellore, ndërsa gjatë ditëve të fundit të verës prodhimi nga centralet fotovoltaike ka qenë aq i lartë, sa kaskada e Drinit nuk ka qenë e nevojshme të vihet në funksion.

Sipas Karakaçit, vendi ka aktualisht rreth 650 megavat kapacitete të instaluara të energjisë diellore, ndërkohë që projekte të reja në fushën e energjisë diellore dhe asaj të erës janë në proces shqyrtimi.

Gjatë ministerialit, ministri ngriti edhe nevojën për përshpejtimin e mekanizmave financues të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kemi nevojë për investime më të shpejta në infrastrukturën e interkonjeksioneve energjetike, në mënyrë që të rrisim integrimin e energjisë së rinovueshme në sistem dhe ndërlidhjen me vendet e rajonit”, tha ai.

Në përfundim, Karakaçi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për garantimin e sigurisë energjetike, duke theksuar se Shqipëria mbetet e angazhuar për forcimin e partneritetit me vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian, sidomos në një periudhë kur sfidat energjetike kërkojnë koordinim dhe veprim të përbashkët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat