“Lufta” italo-greke për rrjetet e energjisë – Interkoneksioni i Egjiptit me Europën, lakmohet nga të dy vendet
Greqia po pretendon një rol udhëheqës në tranzicionin energjetik të Europës dhe po rrit shpejtësinë për të dalë e para në garën e ndërlidhjeve ndërkombëtare, gjë që do ta bëjë atë një eksportues të energjisë së gjelbër dhe do të përmirësojë pozicionin e saj gjeopolitik në rajonin e Mesdheut Juglindor.
Roli kritik i ndërlidhjeve elektrike për sigurinë e furnizimit të Europës, pas braktisjes së karburanteve fosile, u theksua së fundi nga kryeministri grek Mitsotakis, duke dërguar një mesazh për Autoritetet Europiane për të mbështetur planet e ndërlidhjes greke të Afrikës së Veriut dhe të Lindjes së Mesme me Europën, por edhe forcimin e aksit Veri-Jug i cili do të lehtësojë rrjedhën e energjisë së pasur të erës së Veriut dhe energjisë diellore përkatësisht të pasur të Jugut, duke siguruar furnizimin.
Objektivi për Greqinë është të bëhet një eksportues i rëndësishëm i energjisë së gjelbër, duke vënë në dukje se bazuar në pozicionin e saj gjeografik dhe një planifikim të synuar, vendi mund ta arrijë këtë, të paktën në një nivel të parë në Ballkan dhe në një niveli i dytë në pjesën tjetër të Europës.
Ndërlidhjet e energjisë elektrike janë një prioritet kryesor për BE-në, e cila synon të investojë 584 miliardë euro në rrjete deri në vitin 2030 për të garantuar sigurinë e furnizimit të saj me energji nga burimet e rinovueshme të shpërndara që po zëvendësojnë gradualisht lëndët djegëse fosile. Sipas vlerësimeve të rrjetit të administratorëve, përveç 23 GW të interkoneksioneve ndërkufitare të planifikuara deri në vitin 2025, Europa ka nevoja për 64 GW shtesë të ndërlidhjeve nëpër 50 kufij europianë deri në vitin 2030 dhe 132 GW deri në vitin 2040 – përfshirë projektet e magazinimit.
Burimet e reja të energjisë së gjelbër për Europën ndodhen në Jug dhe përtej Mesdheut, në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, dhe rruga për të arritur në Europë kalon përmes Greqisë, por jo vetëm. Vendet europiane të Jugut – Greqia, Italia, Spanja, Franca – konkurojnë në “garën” e ndërlidhjeve, me projekte zbatimi i të cilave varet nga përfshirja e tyre në ato të financuara nga BE. Greqia merr pjesë në këtë “garë” me projekte ndërlidhjeje si me Egjiptin, ashtu edhe me Izraelin dhe Arabinë Saudite, duke promovuar edhe një ndërlidhje me Gjermaninë, e cila do t’i japë rrugë Europës për energjinë e gjelbër që do të vijë nga këto ndërlidhje ndërkontinentale në sistemin grek.
Megjithatë, nëse do të arrijë të qëndrojë në garë, do të varet nga sa shpejt do të zhvillohen studimet përfundimtare të fizibilitetit që do të gjykojnë orarin dhe koston përfundimtare të zbatimit, pasi vonesat favorizojnë plane të tjera alternative.
Basti i madh në këtë fazë ka të bëjë me ndërlidhjen me Egjiptin, pasi Italia hyri në mes të planifikimit të Greqisë. Si pjesë e një plani më të madh të qeverisë Meloni, i cili synon ta bëjë Italinë një ‘urë’ për transferimin në Europë të çdo burimi të ri energjie mesdhetar dhe të Lindjes së Mesme, vendi fqinj po avancon një plan ndërlidhjeje me Egjiptin për të transferuar 3 GW energji të gjelbër.
Projekti, sipas njoftimit, përfshin një kabllo të rrymës së drejtpërdrejtë nënujore të tensionit të lartë rreth 2.800 km e gjatë dhe deri në 3.000 m thellësi, që lidh West Sohag, Egjipt, me nënstacionin Dolo në Itali. Kjo nismë, shënon lidhjen e parë të këtij lloji mes Mesdheut Lindor dhe Europës. Përtej kësaj, projekti mund të krijojë një korridor energjetik nga Europa në Gjirin Persik, duke shfrytëzuar ndërlidhjet ekzistuese dhe të planifikuara rajonale.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.