Makinat elektrike, përdorim modest – Shifrat/ Në 7 muaj u regjistruan 313 autovetura, 1% e totalit

Vetëm 1% e makinave të regjistruara përgjatë 7 muajve të parë të këtij viti janë elektrike, çka tregon se përdorimi i këtyre autoveturave në vendin tonë mbetet tejet modest. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, për periudhën janar – korrik janë regjistruar në total 313 makina elektrike, ndërsa numri total i autoveturave për të njëjtën periudhë është 29 127.
Çmimet e larta, por edhe mungesa infrastrukturës së nevojshme pengojnë qytetarët të blejnë këto automjete, ndërkohë që politikat stimulese , kufizohen vetëm në rimbursimin e tarifave të regjistrimit për herë të pare. Vendimi u mor nga DPSHTRR në nëntor të vitit 2019, ndërsa përfshihen tarifat që paguhen për kontrollin fizik, lejen e qarkullimit, targat standarde dhe certifikatën e pronësisë, me një vlerë totale prej 7 500 lekësh.
Në kushtet e rritjes së çmimit të naftës, pak muaj më parë përfaqësues të qeverisë kërkuan “braktisjen” e makinave me karburant dhe blerjen e automjeteve elektrike nga ana e qytetarëve, duke sjellë në vëmendje edhe incentivëne mësipërme.
Megjithatë, shpesh herë ekspertët kanë argumentuar se rimbursimi i tarifave prej 7500 lekësh është simbolik dhe për këtë aryse kanë kërkuar marrjen e masave të mëtejshme për të stimuluar blerjen e mjeteve elektrike. Ndërkohë që, vende të ndryshme zbatojnë politika të shuma stimuluese, me qëllim rritjen e përdorimin e këtyre automjeteve, që janë miqësore me mjedisin.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.