Maqedonia e Veriut voton për marrëveshjen e BE-së për heqjen e vetos bullgare!
Ligjvënësit në Maqedoninë e Veriut kanë mbështetur një marrëveshje të diskutueshme të ndërmjetësuar nga Franca që synon të zgjidhë një mosmarrëveshje me Bullgarinë dhe të hapë rrugën për bisedimet e anëtarësimit në BE.
Ligjvënësit e opozitës ndërprenë votimin me thirrje dhe largime, por ai kaloi me 68 vota pro në parlamentin prej 120 anëtarësh.
Propozimi, i cili nuk u bë publik që kur u sugjerua në fund të qershorit, ndezi protesta të përditshme në kryeqytetin e vendit Shkupi me mijëra të mbledhur para ndërtesave kryesore të qeverisë për gati dy javë.
Maqedonia e Veriut ka qenë një kandidate për anëtarësim në BE për 17 vjet, por fillimi i bisedimeve u bllokua së pari nga Greqia e cila u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës në 2019 – për t’u pasuar nga vetoja bullgare në vitin 2020.
Qeveria e udhëhequr nga GERB e ish-kryeministrit Bojko Borisov bllokoi negociatat duke pretenduar se historia, kultura dhe gjuha e Maqedonisë së Veriut rrjedhin të gjitha nga Bullgaria.
Sipas të ashtuquajturit ‘propozim francez’, Maqedonia e Veriut do të angazhohet të ndryshojë kushtetutën e saj për të njohur një pakicë bullgare dhe t’i nënshtrohet një rishikimi vjetor nga institucionet e BE-së të marrëdhënieve të saj me Sofjen.
Sipas regjistrimit të vitit 2021, kishte rreth 3,500 bullgarë etnikë në vendin e Ballkanit Perëndimor me 2.08 milionë banorë.
Rreth 97,000 maqedonas kanë marrë nënshtetësinë bullgare në dy dekadat e fundit, një prirje që u përshkallëzua sapo Bullgaria hyri në bllok në 2007.
Të dy vendet nënshkruan një traktat për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në 2017, duke ngritur një komision dypalësh të ngarkuar me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve historike.
Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë për Maqedoninë e Veriut të rishikojë kushtetutën e saj.
Detyra do të kërkonte një shumicë prej dy të tretash për të miratuar amendamentin dhe partia kryesore opozitare e vendit, VMRO-DPMNE e krahut të djathtë, ka thënë se nuk do ta mbështesë ndryshimin.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.