Moska prezanton rublën dixhitale – Objektivi është shmangia e sanksioneve
Rusia ka nisur fazën e provës së rublës dixhitale të bazuar në teknologjinë blockchain me shpresën për të kufizuar ndikimin e sanksioneve ndërkombëtare. “VTB është bërë banka e parë që teston me sukses transaksionet e rublave dixhitale në aplikacionin e saj celular”, sqaroi banka e dytë më e madhe e Rusisë në një deklaratë.
Në total, një duzinë banka të tjera dhe 600 individë janë gjithashtu të prekur nga “faza e provës”. Aktualisht ata do të mund të kryejnë pagesa në 30 pika shitjeje të vendosura në 11 qytete të vendit.
Qëllimi i deklaruar i Moskës është të bëjë sistemin e saj financiar më hermetik dhe të kufizojë ndikimin e kufizimeve ndërkombëtare.
Ajo lëshohet drejtpërdrejt nga banka qendrore ruse dhe ruhet në portofolet elektronike. Megjithëse autoritetet thonë se duan një rubël dixhitale për t’i bërë pagesat më “të sigurta”, disa analistë besojnë se futja e një monedhe të tillë kryesisht do t’i lejojë qeverisë ruse të kontrollojë edhe më shumë qytetarët e saj.
Ndërsa Rusia u përball me sanksione, ajo u shty që të zhvillonte më shpejt alternativa ndaj sistemit global të pagesave Swift – nga i cili bankat e saj u ndaluan kryesisht pas sulmit në Ukrainë – ndërkohë që po lëvizte për të dedollarizuar transaksionet e saj.
Rusia bëhet kështu vendi i 21-të në botë që hyn në fazën e provës për qarkullimin e një monedhe dixhitale, sipas numërimit të studiuesve nga Këshilli Atlantik. Moska shpreson se rubla dixhitale do t’u shpërndahet të gjithë rusëve që e dëshirojnë atë deri në 2025-2027.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.