Nafta kthen një pjesë të fitimeve – Shqetësimet për ekonominë zbehin tensionet gjeopolitike
Nafta është kthyer në rënie në orët e pasdites, ndërsa investitorët po vlerësojnë efektet e ngadalësimit të kërkesës në njërën anë, dhe rritjen e tensioneve gjeopolitike, në anën tjetër. Në këtë mënyrë, në fokus të tregjeve janë rikthyer shanset për ngadalësimin e kërkesës globale, që kanë eklipsuar shqetësimet për çrregullimin e furnizimit të tregut.
Nafta Brent e Londrës ka rënë poshtë 80 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 74 dollarë për fuçi. Të dyja kontratat u rritën me mbi 2% në sesionin e kaluar, pasi një dron ukrainas goditi terminalin e karburanteve Ust-Luga të Novatek, në Rusi.
Megjithatë, analistët thanë se Novatek pritet të rifillojë operacionet në kapacitet të plotë brenda disa javësh. Ndërsa dëmet pritet të rikuperohen shumë shpejt, analistët janë të shqetësuar se lufta Rusi-Ukrainë mund të ketë kaluar në një fazë tjetër, ku palët synojnë infrastrukturën kryesore të energjisë.
Në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë ndërmarrë sulme të reja ndaj pozicioneve të grupit Houthi, që operon në Jemen, duke synuar bazat nëntokësore dhe pajisjet e vëzhgimit. Sulmet nga Houthi ndaj anijeve në Detin e Kuq kanë ndërprerë transportin global dhe kanë nxitur frikën e inflacionit.
Grupi ka thënë se sulmet e tyre janë në solidaritet me palestinezët, ndërsa Izraeli godet Gazën. Në Shtetet e Bashkuara, 20% e prodhimit të naftës në Dakotën e Veriut mbetet i pezulluar për shkak të të ftohtit ekstrem dhe sfidave operacionale. Shqetësimi kryesor i investitorëve është rimëkëmbja e vështirë ekonomike në Kinë, që mund të ndikojë edhe në ngadalësimin e kërkesës globale për naftë, duke qenë se gjigandi aziatik është importuesi më i madh në botë i naftës bruto.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.