Nafta ngjitet në mbi 93 dollarë – Investitorët, të shqetësuar për furnizimin e tregut. SHBA do të hedhë naftë në treg
Nafta po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm, duke zgjeruar fitimet e një dite më parë, pasi investitorët janë të paqartë në lidhje me ecurinë e kërkesës, por edhe furnizimin e tregut, pasi Shtetet e Bashkuara kanë premtuar se do të hedhin në treg rezervat strategjike.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 93 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit me mbi 2 dollarë. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 86 dollarë për fuçi, pas rritjes me 2.7 dollarë në sesionin e kaluar. Në këtë mënyrë, dy bençmarkët kryesore kanë prekur nivelin më të lartë në 2 javë te fundit.
Në fokus të tregjeve do të jetë plani i Shtëpisë së Bardhë për të hedhur në treg rreth 15 milionë fuçi naftë, në përpjekje për të parandaluar rritjen e çmimeve. Që kur OPEC+ vendosi të ulë prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë në takimin e 5 tetorit, çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm.
Referuar të dhënave të tjera, rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 1.7 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, ndërsa analistët parashikonin një rritje me rreth 1.4 milionë fuçi. Edhe embargoja e plotë e Bashkimit Europian ndaj naftës ruse, duke filluar nga dhjetori, pritet tsa tkurrë akoma më shumë furnizimin e tregut.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.