Nafta zbret pranë 90 dollarë – Ndikon ngadalësimi i kërkesës dhe rritja e furnizimit në SHBA
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje të lehtë në sesionin e sotëm europian, pas humbjeve të konsiderueshme një ditë më parë. Investitorët besojnë se, rritja e furnizimit të tregut në SHBA dhe ngadalësimi i ekonomisë po ushtrojnë presion mbi çmimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 90 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar ra me rreth 1.6 dollarë.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 83 dollarë, pas rënies me 2.6 dollarë në sesionin e kaluar. Kina, që është importuesja më e madhe e naftës në botë, vonoi publikimin e të dhënave ekonomike, duke bërë që investitorët të besojnë se ekonomia është në depresion.
Çmimet e naftës po gjenden nën presion edhe nga raportimet se qeveria amerikane do të vijojë të hedhë në treg rezervat strategjike për të ulur çmimet. Administrata e presidentit Biden planifikon të shesë naftë nga rezervat e saj, në përpjekje për të plotësuar mungesën në treg, të shkaktuar nga vendimi i OPEC+ për të ulur prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë.
Ndërkohë, vijon edhe përplasja në distancë mes Shtëpisë së Bardhë dhe Rihadit zyrtar. Uashingtoni e akuzon Arabinë Saudite se ka ushtruar presion ndaj disa vendeve anëtare të OPEC për të mbvështetur uljen e prodhimit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.