“Ndëshkohet” ministri i financave në Kosovë – Tejkalim kompetencash, Hekuran Murati merr vetëm gjysmën e pagës prej 3 muajsh
Është përgjegjësi i Kuletës Shtetërore. Por ministri i Financave në Kosovë, Hekuran Murati, prej disa muajsh merr gjysmën e pagës që i takon nga vetë institucioni që ai drejton.
Kjo ndodhi pas vendimit të tij për të hapur konkursin për postin e drejtorit të përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, vendim ky, që sipas ligjit nuk i takon ministrisë së Financave.
Edhe pas paralajmërimeve të Këshillit Të Pavarur për Mbikëqyrjen e Shërbyesve Civilë që të anulohet ai konkurs, ministri Murati nuk e bëri një veprim të tillë. Prandaj, që nga muaji tetor i vitit të kaluar, me vendim të Këshillit, ministrit Murati iu reduktua paga me 50% si masë ndëshkuese.
Vendimin e Këshillit e mbështesin edhe njohësit e ligjit në vend. Juristi Asdren Bytyqi, thotë që ligji për Shërbyesit Civilë përcakton se Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për konkursin e ATK-së.
Vendimi për zbritje 50% në pagë do të jetë në fuqi deri sa ministri Murati të zbatojë kërkesën e Këshillit Të Pavarur për Mbikëqyrjen e Shërbyesve Civilë për konkursin në fjalë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.