New York padit TikTok, Facebook dhe Youtube – “Ndërtojnë dhe tregtojnë platformat e tyre për të krijuar varësi”
Qyteti i New York padit TikTok, Facebook e YouTube për dëmtim të shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve. Sipas akuzës Meta, Snap, ByteDance e Google në mënyrë të vetëdijshme kanë ndërtuar dhe tregtuar platformat e tyre për të tërhequr, kapur dhe krijuar varësi tek të rinjtë. Iniciativa është e ngjashme me atë të ndërmarrë në vitin 2022 nga Kalifornia.
Kryebashkiaku i New York, Eric Adams, kishte folur më parë për padinë në fund të muajit janar. Ai theksoi se në dhjetë vitet e fundit është parë se sa bota online mund t’i imponojë fëmijëve një fluks të vazhdueshëm të përmbajtjeve të dëmshme dhe të ushqejë krizën kombëtare të shëndetit mendor të të rinjve.
Përvec qytetit të New York, në palën paditëse janë rreshtuar dhe shkollat e institucionet shëndetësore, sipas të cilave kompanitë në fjalë kanë projektuar në mënyrë të vetëdijshme duke zhvilluar, prodhuar, menaxhuar, promovuar, shpërndarë dhe tregtuar platformat e tyre për të tërhequr dhe krijuar varësi. E gjithë kjo shoqëruar me një monitorim minimal të situatës nga ana e prindërve.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.