Nga rrjedh fjala ‘taksi’ dhe pse i quajmë kështu ende edhe sot?!
Ekzistojnë disa versione të origjinës së termit taksi. Ekziston një hipotezë e natyrës historike, e lidhur me sistemin e shpërndarjes së postës, e cila sheh si protagoniste familjen fisnike gjermane Thurn und Taxis (nga e cila rrjedh fjala “taksi”).
Familja, me prejardhje nga princat e Perandorisë së Shenjtë Romake, që nga shekulli i pesëmbëdhjetë, kishte për detyrë të përhapte dhe menaxhonte sistemin postar në Europë dhe ruajti monopolin e saj deri në vitin 1866.
Por çfarë lidhje ka postimi me transportin privat të pasagjerëve? Para lindjes së mjeteve motorike, ata që kishin nevojë urgjente për të udhëtuar përdornin një karrocë me kuaj. Në fund të shekullit të 18-të, familja Thurn und Taxis, e cila menaxhonte mijëra karroca dhe kuaj me të cilët shpërndanin postën, e diversifikuan biznesin e tyre, duke i përdorur edhe për transportin e pasagjerëve.
Pak njerëz e dinë që familja fisnike, pioniere në sektorin e shpërndarjes së postës, ishte me origjinë italiane. Në fakt, në 1504 dy vëllezërit nga Bergamo Zanetto dhe Francesco Tasso morën monopolin e shërbimit postar në të gjithë perandorinë nga perandori Maximilian I i Habsburgut. Në fund të shekullit të 18-të, familja Tasso (e gjermanizuar në Thurn und Taxis) menaxhoi 20 mijë “mjeshtër poste”, mijëra kuaj dhe kështjella dhe ishte një nga më të pasurat në Europë.
Një version i dytë, më filologjik i termit, nga ana tjetër, do të gjurmonte fjalën “taksi” nga taksa (kosto), që përmban fjala taksimetër, një shpikje e vitit 1891 nga gjermani Wilhelm Bruhn (1869-1951) e cila u përhap në të gjithë botën dhe është ende në përdorim sot.
Një hipotezë e tretë ia atribuon origjinën e “taksisë” mbiemrit grek tachus që do të thotë “i shpejtë”, duke iu referuar karakteristikës së të qenit një mënyrë e shpejtë për të lëvizur.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.