Nuk ndryshojnë normat e interesit. Por Këshilli Mbikëqyrës miraton rregulloren për tarifat e llogarive bazike
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare. Pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që të të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.25%. Po ashtu, Këshilli vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 2.25% si dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 4.25%.
Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi edhe disa ndryshime në rregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”.
“Këto ndryshime vijnë si rrjedhojë e miratimit të ligjit 100/2023 ”Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, ku parashikohet detyrimi i Bankës së Shqipërisë për të përcaktuar me akt nënligjor, kërkesat për krahasueshmërinë dhe transparencën për tarifat e lidhura me llogarinë e pagesave me shërbime bazike, për shërbimin e transferimit të llogarisë së pagesave me shërbime bazike, si dhe për përcaktimin e metodologjisë së përllogaritjes së tarifës së arsyeshme për shërbimet e ofruara në llogarinë e pagesave me shërbime bazike” njofton Banka e Shqipërisë.
Ligji për llogaritë bazike ka si synim rritjen e depërtimit të shërbimeve bankare e financiare në popullatë dhe që parashikon përfitime për kategoritë në nevojë.
Referuar ligjit, bankat do të ofrojnë të gjitha shërbimet me tarifë zero, pavarësisht nga numri i veprimeve të kryera në llogarinë e pagesave me shërbime bazike për këto kategori, por hapja e një llogarie bankare nuk është detyrim.
Sipas të dhënave të siguruara nga SCAN TV, aktualisht janë 73.950 pensionistë që marrin pensionin përmes bankave dhe 666.300 e marrin në postë.
Pra e thënë ndryshe, aktualisht 10 për qind e pensionistëve marrin pensionin përmes bankave tregtare, kategori e cila do të përfitojë shërbime me zero komision, duke filluar nga komisioni i mirëmbajtjes së llogarisë i cili është mesatarisht 150 lekë në muaj apo 1800 mijë lekë në vit.
Ligji i ri për llogaritë bazike, ku përcaktohen kategoritë që përfitojnë shërbime me tarifa të reduktuara ose me tarifë zero, parashikohet edhe opsioni i transferimit të llogarisë, nga llogari normale në llogari bankare bazike.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.