OKB paralajmëron: Bota po humbet 1 milion km² tokë produktive në vit nga stuhitë e rërës dhe pluhurit!

Bota po humbet 1 milion kilometra katrorë tokë produktive në vit nga stuhitë e rërës dhe pluhurit, ka paralajmëruar sot organi i OKB-së i ngarkuar për luftimin e shkretëtirëzimit. Stuhitë e rërës dhe pluhurit janë një problem i nënvlerësuar që po bëhet “në mënyrë dramatike” më i shpeshtë nga aktiviteti njerëzor në disa pjesë të botës.
Rreth 2 miliardë tonë rërë dhe pluhur tani hyjnë në atmosferë çdo vit – e njëjta peshë si 350 Piramidat e Mëdha të Gizës. Me efekte të gjera përtej vendit ku ato formohen, luhatjet në intensitet, madhësi dhe gjatësi mund t’i bëjnë stuhitë e rërës dhe pluhurit “të paparashikueshme dhe të rrezikshme”, thonë ekspertët nga Konventa e OKB-së për Luftimin e Shkretëtirëzimit (UNCCD).
Të njohura me shumë emra lokalë si siroku, haboob, pluhuri i verdhë ose Harattan, këto stuhi formohen në toka të thata me gjerësi të ulët dhe zona nën lagësht ku bimësia është e rrallë ose mungon. Deti i tharë Aral midis Kazakistanit dhe Uzbekistanit, për shembull, është një burim kryesor i stuhive të rërës dhe pluhurit.
Megjithëse janë një fenomen i zakonshëm natyror, problemi po përkeqësohet nga aktiviteti njerëzor. Shpyllëzimi, kullotja e tepërt dhe përdorimi i tepërt i ujit bëjnë që shkretëtirat të përhapen, duke rritur mundësinë e këtyre stuhive.
Thatësira dhe temperaturat ekstreme të shkaktuara nga ndryshimet klimatike shërbejnë vetëm për të përforcuar këta faktorë. Ekspertët nga UNCCD tani ia atribuojnë më shumë se një të katërtën e problemit aktiviteteve njerëzore. Në disa zona, pluhuri i shkretëtirës është dyfishuar në shekullin e kaluar.
Në burimin e tyre, ato dëmtojnë të korrat, prekin bagëtinë dhe zhveshin sipërfaqen e tokës. Aty ku depozitojnë materialin që mbajnë, ato përbëjnë një kërcënim për ata me probleme shëndetësore si sëmundjet e frymëmarrjes – veçanërisht kur kombinohen me ndotjen industriale lokale.
Rrjetet e komunikimit, prodhimi i energjisë dhe transporti gjithashtu mund të prishen nga dukshmëria e ulët ose dështimet mekanike. UNCCD ka bërë thirrje për menaxhim më të mirë të tokës për të rivendosur tokën e dëmtuar, si dhe sisteme të përmirësuara të paralajmërimit të hershëm për të rritur elasticitetin ndaj këtyre ndikimeve.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.