Paundi dhe euro, në rënie – Britania duhet të zgjedhë kryeministrin e ri deri më 28 tetor
Paundi britanik dhe euro po qëndrojnë në rënie në sesionin e sotëm, pas dorëheqjes së kryeministres Liz Truss, e cila qëndroi rreth 6 javë në këtë detyrë. Edhe jeni japonez po qëndron në nivelin më të ulët në 32 vitet e fundit, në raport me dollarin amerikan.
Paundi ka zbritur poshtë 1.12 dollarëve, gjatë tregtisë europiane për shkak të paqartësisë politike në Mbretërinë e Bashkuar. Partia Konservatore, e cila ka mazhorancën në parlament, duhet të zgjedhë një kryeminstër të ri deri në datën 28 tetor, i cili do të jetë kryeministri i pestë në 6 vitet e fundit. Euro ka zbritur poshtë 0.98 dollarëve, e ndikuar më së shumti nga dobësimi i paundit britanik. Në fokus të tregjeve është edhe jeni japonez, që ka thyer edhe nivelin psikologjik të 150, në raport me dollarin amerikan dhe njëkohësisht niveli më i ulët në 32 vitet e fundit.
Tashmë, investitorët po presin ndërhyrjen e Bankës së Japonisë dhe ministrisë së financave për të stabilizuar monedhën vendase. Megjithatë, Japonia është në një pozitvë më të mirë përsa i përket inflacionit, krahasuar me vendet e tjera të zhvilluara.
Të dhënat e publikuara në premten treguan se inflacioni bazë në këtë vend u rrit në 3%, që është niveli më i lartë në 8 vitet e fundit. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet pranë 19 mijë dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1280 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.