Pikëpyetjet e shërbimeve publike/Pse pjesa më e madhe nuk kryhet online në banka?
Prej 1 Majit, në vend nuk ka më sportele fizike të administratës për shërbimet me dokumente dhe të gjitha shërbimet ofrohen online. Konkretisht, janë 1225 shërbime për të cilat aplikohet dhe merret përgjigja online.
Tashmë, hapi i radhës i njoftuar nga kryeministri është ai i kryerjes së pagesës për shërbimet publike në mënyrë online, e për këtë qëllim kërkohet që lidhja e platformave elektronike të bankave me portalin E-albania.
Synimi në këtë rast është që pas heqjes së radhës nëpër sportalet e administratës publike, të eleminohen edhe radhët në sportelet e bankave.
Në daljen për mediat, me përfaqësuesit e sistemit bankar në vend, kryeministri shfaqi rezerva ndaj sistemit, duke i kritikuar ato për vonesë në digjitalizim.
Në fakt, sistemi bankar në vend rezulton si një nga sektorët që ka investuar më shumë në këtë drejtim, ashtu sikurse edhe legjislacioni që ka avancuar me hapa të shpejtë.
Referuar statistikave të Shoqatës së Bankave, rezulton se vetëm për ATM dhe POS bankat kanë investuar mbi 20 milionë euro (përfshirë rinovimin e fondit të ATM-ve me ato më të avancuara).
Po ashtu, të gjitha bankat ofrojnë shërbimin ‘e-banking’, që do të thotë se gjithçka është gati për këtë lëvizje.
Burimi:Shoqata Shqiptare e Bankave
Pse aktualisht nuk ofrohen të gjitha shërbimet publike on-line?
Pjesa më e madhe e shërbimeve publike nuk kryhet online në banka, sepse kërkohet të vendoset lidhje midis paguesit (bankës së tij) dhe përfituesit (që mund të jetë Thesari ose një institucion shtetëror).
Kjo kërkon zhvillime teknologjike nga të dyja palët. Bankat e kanë tashmë bazën dhe kërkohet integrim dhe zhvillim sipas karakteristikave të përfituesit.
Bankat, deklaruan publikisht se e mirëpresin iniciativën e re, evidentuan se është në kohën e duhur dhe se e mbështesin pa rezerva çdo lloj bashkëpunimi për ta realizuar sa më shpejt.
Megjithatë, sipas tyre, kjo iniciativë nuk është vonuar për shkak se bankat janë me vonesë në digjitalizim!
Tendenca/Për shqiptarët “cash-i” nuk është “the only king”
Viti 2021, referuar raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë, u karakterizua nga një rritje e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave me 29.51% në nivel vjetor, duke arritur 28.6 milionë pagesa në total.
Në terma të vlerës, përdorimi i tyre shënoi një rritje prej 20.62% ose prej 5,291 miliardë lekësh krahasuar me një vit më parë.
Rritja e pagesave elektronike është reflektuar në një tkurrje të vazhdueshme të transfertave të kreditit në formë letër, të cilat në vitin 2021 zunë një peshë rreth 20.65% ndaj totalit të vëllimit të pagesave.
Pagesat me karta zënë vendin kryesor të përdorimit të instrumenteve të pagesave, përkatësisht 55.57% në numër, duke tejkaluar për të dytin vit radhazi transfertat e kreditit në formë letër, instrumentin e pagesave më të përdorur ndër vite.
Banka e Shqipërisë e ka cilësuar si inkurajuese tendencën e shpejtë të rritjes së përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave ‘home banking’, ku evidentohet se numri i pagesave të kryera përmes shërbimit ‘mobile banking’, arriti në 1.7 milionë transaksione, me një rritje prej 46.78% krahasuar me vitin e kaluar.
Vlera e këtyre transaksioneve arriti në 219 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 47.36%.
Gjithashtu, prirje rritëse ka paraqitur edhe përdorimi i parasë elektronike, një instrument ky ofruar nga bankat dhe nga institucionet e parasë elektronike.
“Zhvillimet e pagesave elektronike përgjatë vitit 2021 kanë kontribuuar në përmbushjen e objektivave sasiorë të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023).
Përdorimi i pagesave elektronike për frymë arriti në nivelin 12.5 nga 10 pagesa që është objektivi i kësaj strategjie.
Gjithashtu, zhvillime pozitive janë shënuar dhe në kuadër të zgjerimit të përqindjes së popullsisë, e cila zotëron një llogari pagesash” shkruhet në raportin për vitin 2021, që Guvernatori Gent Sejko paraqiti në Kuvend.
“Leksionet” nga e shkuara
Në vitin 2021 rezulton se rreth 69% e popullsisë në moshë madhore zotëron një llogari pagese. Kjo nënkupton, se ende një pjesë e konsiderueshme e popullatës nuk e zotëron një llogari bankare, e si rrjedhojë aplikimi i sistemit duhet të bëhet me kujdes, me qëllim që të mos përjashtohet 30 % e popullatës nga marrja e shërbimeve publike.
Kjo nuk është herë e parë që bankat private bëhen pjesë e projekteve për modernizimin e pagesave dhe shërbimeve.
Në vitet 2014-2015, bankat u bënë pjesë e reformës së energjisë, duke sjellë eleminimin e radhëve nga sportelet e OSHEE për pagimin e faturave.
Në vitin 2020, gjatë mbylljes si pasojë e pandemisë, bankat përshtatën gjithë mënyrën e punës për të siguruar vazhdimësinë e shërbimit bankar.
Në këtë periudhë, u rrit operimi nëpërmjet shërbimeve online, por edhe degët nuk u mbyllën për asnjë orë.
Po ashtu, në dy vitet e fundit janë realizuar: regjistri qendror i llogarive bankare; shkëmbimi i informacionit; regjistri i pronarit përfituesit fundor dhe fiskalizimi.
Këto të fundit, shpesh kanë rezultuar me pasaktësi apo funksionim me defekte, e kjo për shkak se nuk u dëgjuan zërat e palëve nga ata që i zbatuan teknikisht.
Pra, edhe në këtë rast, do të duhet që të zgjidhen një serë problematikash që lidhen jo vetëm me integrimin e sistemeve, por edhe me një fushatë masive të mirëkoordinuar që përfshin pajisjen e të gjithë popullatës me llogari bankare, edukimin e ndërgjegjësimin financiar, uljen e mëtejshme të përdorimit të parasë ‘cash’ në ekonomi etj.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.