Prodhimi i kromit u rrit me 43.5% – AKBN: Gjatë 2022-it u prodhuan 933 mijë ton mineral për eksport
Prodhimi i mineralit të kromit u rrit ndjeshëm gjatë vitit 2022, në raport me 1 vit më parë. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia KombëtAre e Burimeve Natyrore, në fund të vitit 2022, në këtë degë të industrisë minerare u prodhuan rreth 933 mijë ton mineral kromi kryesisht për eksport. Ndërkohë që, në vitin 2021 u nxorrën rreth 650 mijë ton apo 43.5% më pak se viti 2022. Gjithsesi, nxjerrja e këtij minerali nuk ka arritur nivelet e vitit 2019, që shënoi vlerat më të larta të paktën në 18 vitet e fundit, me gati 1.3 mln ton.
Sipas, AKBN në aktivitetin minerar të kromit janë aktive 249 licenca shfrytëzimi minerare. Ndërkohë që, aktivitetet prodhuese janë të përqendruara në Bulqizë me rreth 122 leje aktive të ndjekura nga Kukësi, Tropoja dhe Hasi. Sipas AKBN, në degën e industrisë minerare të kromit kryhen dhe vazhdojnë të ndërmerren investime të rëndësishme si në shfrytëzimin e mineraleve ashtu edhe në prodhimin e koncentratit dhe ferrokromit.
Teksa vazhdimi i mëtejshëm i një zhvillimi të qëndrueshëm afatgjatë të kësaj dege të industrisë minerare kushtëzohet ngushtë me zbulimin e rezervave të reja të mineraleve të ndryshme dhe për realizimin e këtij qëllimi janë të mirëseardhura të gjitha kompanitë e huaja dhe vendase që dëshirojnë të kryejnë studime dhe punime në të ndryshme gjeologjike.
Në këtë kuadër AKBN zbulon për investitorët disa zona perspektive për kërkimin e këtij minerali, duke nisur nga vendburimi i Bulqizës, i Qafë Buallit, vendburimet e Kalimashit, masivi Shebenik – Pogradec, masivi i Lurës, etj.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.